2 Prill, 2024 - 1:18 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se në vitin e dytë të qeverisjes kanë krijuar një Fond të veçantë për komunitetet joshumicë, që kap vlerën e 3 milionë eurove.
Përmes fondit janë financuar 259 grante për fermerë, ndërmarrës të rinj dhe OJQ me qëllim nxitjen e punësimit te këto komunitete. Vitin e kaluar janë mbështetur 123 projekte për biznese të vogla për të gjitha komunitetet.
Ndërsa, këtë vit është lansuar masa e veçantë e punësimit për 2 mijë punëkërkues që jetojnë në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, ku janë hapur Zyre të Punësimit dhe Zyre të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, ku janë regjistruar mbi 50 biznese të reja.
“Komunitetet joshumicë përbëjnë 17% të subvencioneve të Ministrisë së Ekonomisë për pajisje efiçiente, në kuadër të masave për efiçiencë të energjisë. Ato gjithashtu përbëjnë 9% të praktikantëve me pagesë përmes programit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve “Kosova Generation Unlimited”, përqindje kjo përfaqësuese në raport me tërësinë e popullatës”, thuhet në njoftimin e Kurtit.
Poashtu, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka zbatuar 415 projekte të ndryshme, ku janë siguruar 543 vende të reja të punës, prej tyre 328 me orar të plotë dhe pjesa tjetër me gjysmë orari.
Janë ndërtuar 116 shtëpi, dhe janë ndarë tre milionë euro për ndërtimin dhe rinovimin e shtëpive, bashkë me katër milionë të tjera që nga viti 2024 për projekte infrastrukturore.
“Për qendrat mësimore të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian, në tre vjet të qeverisjes kemi ndarë gati gjysmë milion euro. Sepse për të pasur sa më shumë studentë të suksesshëm nga këto komunitete në universitete, investimi në ta dhe mbështetja për ta duhet të jetë e hershme. E për të qenë nesër profesionistë të suksesshëm, mbështetja duhet të vazhdojë edhe gjatë studimeve”, ka njoftuar tutje Kurti.
Në vitin akademik 2022/2023 janë ndarë 26 bursa në vlerë një mijë euro për studentët e vitit të parë të komuniteteve joshumicë, kurse për vitin 2023/2024 me bursa po mbështetet 55 studentë nga këto komunitete, prej të cilëve 35 janë vajza dhe 20 djem.
“Ndërkohë që në kuadër të projektit “Komunat për të rinjtë”, që aktualisht është në fazën e dytë të zbatimit, kemi përkrahur 3,000 të rijn nga komunitetet joshumicë dhe OJQ në përfitimin e aftësive të buta dhe në menaxhim të projekteve”, ka njoftuar kryeministri Kurti.
Ndërsa, nga viti i kaluar ka filluar procesi për verifikimin e diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut, duke ofruar më shumë mundësi të reja të punësimit dhe është krijuar bazë ligjore për fillimin e verifikimit të diplomave të shkollave të mesme që japin mësim në gjuhën serbe.
Ai ka shtuar se vitin e kaluar ka filluar transmetimi i mbledhjeve të Qeverisë në gjuhën serbe dhe në fund të vitit të kaluar është miratuar Strategjia për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre. / KultPlus.com