Kryeministri Kurti: Masakrimi i shqiptarëve nga Serbia në funksion të spastrimit etnik

4 Shkurt, 2024 - 10:00 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 3 dhe 4 shkurtin e vitit 2000, ku struktura e grupe kriminale të Serbisë kryen një fushatë kriminale me qëllim spastrimin etnik të Mitrovicës nga shqiptarët vendas.

Kryeministri Kurti në postim në Facebook ka thënë se atë natë ata i vranë 10 shqiptarë dhe i plagosën 25 të tjerë, ndërsa dhjetëra banorë u torturuan.

“Në ditët në vijim gjatë muajit shkurt, grupet kriminale serbe të mbështetura nga Beogradi, i dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 anëtarë. Shtëpitë e shqiptarëve të dëbuar me dhunë u uzurpuan nga serbë dhe ndër vite, mijëra shqiptarëve u është mohuar çdo e drejtë dhe u është pamundësuar çdo mundësi për t’u kthyer në shtëpitë dhe tokat e tyre”.

Kryeministri  ka thënë se ky spastrim etnik i kryer para 24 viteve, e ndryshoi krejtësisht strukturën demografike të Mitrovicës. “Sipas një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave të asaj kohe, para shkurtit të vitit 2000, në veri të Mitrovicës, 53% të njehsorëve të energjisë elektrike ishin nëpër amvisëri të shqiptarëve”, ka shkruar Kurti.

Kreu i Qeverisë ka thënë se masakrimi dhe dëbimi i shqiptarëve të kryera në funksion të spastrimit etnik të Mitrovicës nga shqiptarët vendas, u krye vetëm tetë muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë.

“Ndryshimi drastik i realitetit në terren, krijoi kushte shtesë për thellimin e ndarjes fizike të qytetit të Mitrovicës në dy pjesë. Ajo u realizua nën vëzhgimin e trupave ushtarake të KFOR-it, kurse u pasua nga mosveprimet e liderëve politikë shqiptarë të asokohe në Kosovë. Madje, këta të fundit, në vitin 2013 patën votuar në Kuvendin e Kosovës ligj për aministimin e kriminelëve në veri të Kosovës”, ka shkruar ai.

Kurti ka shtuar se tani pas 24 vitesh nga shkurti i vitit 2000, gjendja në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe në veri të vendit në përgjithësi, ka ndryshuar shumë falë angazhimit të Qeverisë së Kosovës dhe strukturave shtetërore të sigurisë.

“Organizatat kriminale “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë shpallur organizata terroriste, kurse vendosja e rendit dhe e ligjit në veri ka pasur përparime të mëdha dhe është në rrugë të mbarë për t’u forcuar. Megjithatë, për të vrarët e të torturuarit si dhe për të dëbuarit nga pjesa veriore e Mitrovicës gjatë shkurtit të vitit 2000, duhet të ketë drejtësi”, ka shkruar Kurti. 

Natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, në Mitrovicë u vranë: Bashkim Rrukevci, Muharrem Sokoli, Nezir Voca, Shqipe Voca, Remzije Canhasi, Nderim Ajeti, Niman Sejdiu, Sebaha Abrashi, Selime Berisha dhe Nexhmije Xhaka.

“Viktimat e masakrës së 3 dhe 4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, i kujtojmë me nderime dhe dhembshuri, teksa angazhohemi për drejtësi për ta dhe për të dëbuarit si dhe për ligjshmëri, rend dhe kushtetueshmëri të plotë në veri të vendit sikur në çdo pjesë të Kosovës!”, ka shkruat tutje kryeministri Kurti. / KultPlus.com

Të ngjajshme