7 Mars, 2021 - 3:05 pm
Teksa sot shënohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit, secili prej nesh kujton mësuesin tonë të parë, ata që na mësuan, mirëpo edhe ata për të cilët mësuam, shkruan KultPlus.
Në një postim në Facebook lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kujtuar figurën e Shaban Jasharit, që sipas tij krahas mësuesit rezistent ai ishte dhe luftëtar e më pas u bë edhe dëshmor.
“Le të kujtojmë sot figurën e mësuesit rezistent, luftëtar, dëshmor. Por edhe të rindjejmë e përkujtojmë atë vrull arsimues të Shaban Jasharit. Le ta rikujtojmë si mësuesi më i shpallur i bijve e bijave të tij. Mësues special ishte baca Shaban sepse u kthye në mësues për fëmijët e tij”, ka shkruar Kurti.
Tutje ai ka shtuar se Shaban Jashari ishte një mësues integral ngasë u mësoi lirinë bijëve dhe bijave të tij. Dhe sipas Kurtit vetëm në këtë mënyrë 7 marsi mund të marrë vlerën e tij të plotë.
“Por baca Shaban ishte edhe mësues integral sepse u bë mësuesi i lirisë për bijat dhe bijtë e tij. Në këtë kuptim 7 marsi mund të marrë vlerën e vet më të plotë. Mësuesi nuk është ai që na sjell dijen abstrakte dhe vetminë, por virtytin publik të lirisë, deri edhe dijen e vetëmohimit në emër të hapjes së një epoke të re”, ka përfunduar Kurti.
Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:
Sot është dita e mësueseve dhe mësuesve tanë. Personaliteti mësimdhënës mbart drejtpërdrejt fuqinë që i jep virtyti publik i shoqërisë sonë. Mësuesi vjen menjëherë pas prindit. Sapo fëmija del prej ngrohtësisë së nënës, babait dhe vatrës, ka përpara vetes dhe bashkëmoshatarëve të vet një autoritet të ri të cilin e dashuron jo thjesht prej ndjenjës, por prej dijes. Në sytë e shkollarit mësuesi është përfaqësuesi i një jete që çelet përpara.
Le të kujtojmë sot figurën e mësuesit rezistent, luftëtar, dëshmor. Por edhe të rindjejmë e përkujtojmë atë vrull arsimues të Shaban Jasharit. Le ta rikujtojmë si mësuesi më i shpallur i bijve e bijave të tij. Mësues special ishte baca Shaban sepse u kthye në mësues për fëmijët e tij. Por baca Shaban ishte edhe mësues integral sepse u bë mësuesi i lirisë për bijat dhe bijtë e tij. Në këtë kuptim 7 marsi mund të marrë vlerën e vet më të plotë. Mësuesi nuk është ai që na sjell dijen abstrakte dhe vetminë, por virtytin publik të lirisë, deri edhe dijen e vetëmohimit në emër të hapjes së një epoke të re./ KultPlus.com