11 Gusht, 2023 - 12:54 pm
Dëshmorët e kanë datën e rënies së tyre heroike që nuk është thjesht ditë e vdekjes, por është ditë e ndërrimit të jetës, që i dha jetë e liri popullit tonë. Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti në 25 vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve Elton Zherka dhe Përmet Vula.
Kurti i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, bëri sot homazhe dhe vendosi kurora me lule te varrezat e qytetit të Gjakovës, aty ku prehen përjetësisht “Yjet e Gjakovës”.
Pas homazheve, kryeministri kujtoi se Eltoni edhe Përmeti, kanë rënë në betejën e Junikut në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike të Serbisë së bashku me Bekim Berishën dhe me Bedri Shalën.
Duke i lartësuar dhe nderuar figurat e tyre si patriot të paepur, të cilët do të na inspirojnë e do të na frymëzojnë përjetësisht, kryeministri tha se rënia e dëshmorëve “na e përkujton jo në çdo përvjetor, por çdo ditë se sa i lartë ishte çmimi që ka paguar populli ynë për çlirimin që u bë, e për lirinë që e gëzon”.
Pas nderimeve, kryeministri Kurti tha se Përmeti dhe Eltoni vijnë nga familjet patriotike me edukatë të kamotshme qytetare, të cilët janë dëshmuar ndër shumë breza dhe pa dyshim, sipas tij, do të kujtohen me pietet edhe për shumë breza që do të vijnë pas nesh. / Express / KultPlus.com