Kurti bën homazhe në Kompleksin Memorial në Kaçanik, përkujton edhe viktimat e masakrave të tjera nëpër Kosovë

9 Prill, 2025 - 7:16 pm

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve të luftës në Kompleksin Memorial në Kaçanik.

Kryeministri Kurti ka thënë se te të gjitha varrezat dhe lapidarët e dëshmorëve e martirëve të luftës gjithandej vendit, bëhen homazhe jo vetëm për t’i nderuar ata, por edhe për ta ripërkujtuar se sa e lavdishme është lufta e UÇK-së dhe sa i madh çmimi i lirisë që e gëzojmë dhe të shtetit të cilin po e ndërtojmë së bashku.

“Në mëngjesin e 9 prillit 1999, Kaçaniku agoi i rrethuar nga forcat e ushtrisë dhe policisë së Serbisë, që sulmonin popullatën civile, e granatonin nga të gjitha anët. Në betejat në Lagjen e Re dhe në Rakoc ranë heroikisht 28 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u vranë 32 martirë”, ka thënë Kryeministri.

Kryeministri Kurti po ashtu ka përkujtuar edhe të viktimat e masakrave, të krimeve dhe gjenocidit të kryer në prill të vitit 1999 nga Serbia në Kosovë.

“Kujtojmë me nderim dhe dhimbje civilët e vrarë dhe të zhdukur me dhunë gjatë javës së parë të prillit 1999 në Rezallë të Drenicës, në Lybeniq të Pejës, në Çabrat të Gjakovës, në Fushë Kosovë, në Sopi të Suharekës, në masakrën e tmerrshme mbi familjen Vejsa në Gjakovë, në masakrën në Llovcë të Gjilanit, Kralan të Gjakovës, në Reznik të Vushtrrisë, në Mojstir e Cërcë të Istogut, në Popovë të Podujevës, në malet e Çabiqit, në Polac, e në fshatin Rashiq të Pejës”, ka thënë Kryeministri.

Kryeminnistri Kurti gjithashtu tha se të gjitha krimet e kryera nga Serbia në Kosovë gjatë dhe para luftës, janë bërë me plan, me qëllime politike dhe me synime të egra hegjemoniste, për të arritur një Kosovë ku shfarosen shqiptarët, ku shqiptarët të spastrohen etnikisht, për ta realizuar një Serbi të Madhe.

“Përballë një gjenocidi, brutaliteti dhe çnjerëzie, ka vetëm një përgjigje dinjitoze: vendosja e drejtësisë si detyrim moral dhe universal ndaj çdo viktime dhe forcimi i shtetit sa më shumë e sa më shpejt me krejt çka mundemi dhe dimë”, ka thënë Kryeministri Kurti./ KultPlus.com

Të ngjajshme