2 Gusht, 2021 - 10:09 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur para publikut të mbledhur në sheshin e Prishtinës për kampionet olimpike të Kosovës.
Kurti ka thënë se puna e madhe që kanë bërë kampionet janë motivim për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai ka pasur fjalë të mëdha edhe për kampionen e parë në histori të Kosovës, Majlinda Kelmendi.
“Mirmbrëma dhe urime të gjithëvë. Le t’iu urojmë mirëseardhja skuadrës sonë olimpike me një duartrokitje të madhe e të fuqishme sepse kanë bërë historinë në Tokio. Edhe pse Majlinda nuk mori medalje të artë në Tokio ajo ka marrë zemrat tona. Me përkushtimin e saj ajo ka hapur rrugën për atletët tonë që të ëndërrojnë më shumë e të synojnë më lartë. Ajo i solli Kosovës medaljen e parë të artë duke u bërë simbol i shpresës, duke na thënë që është gjithçka e mundur. Kampione në tatami, e kampione në jetë”, ka thënë ai.
Ai nuk e ka lënë pa thënë fjalë të mëdha edhe për kampionet e ‘Tokio 2020’, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova dhe nuk e ka lënë pa lavdëruar punën e trajnerit Driton Kuka.
“Në olimpiadën e parë në Rio, Majlinda solli medaljen e artë. Në Tokio morrëm dy medalje të arta. Një duartrokitje të madhe për këto kampione. Medaljet e arta aq sa kërkojnë talent, kërkojnë edhe punë e përkushtim. Kërkojnë taktiktë e strategji të përsosur. Trajneri që na ka dhënë zemër të gjithëve. Ai është trajneri i artë Driton Kuka. Tri medalje të arta nga tri gra, kjo fjali me 7 fjalë duhet të mjaftojë për të fituar çdo medalje për barazi gjinore. Falemnderit vajzave, falemnderit trajnerit. Në Rio morëm 1 medalje, në Tokio 2. Le të fillojnë përgatitjet që në Paris të marrim 3 e më shumë medalje. Ju faleminderit të gjithëve. KOSOVA është e ARTË”, përfundoi ai. / KultPlus.com