Kurti në ushtrimin fushor “Ujku i Çeliktë”: Ju jeni garanci e pathyeshme se e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta

12 Nëntor, 2024 - 5:00 pm

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot pjesëtarët e FSK-së në Poligonin Ushtarak në Babaj të Bokës, në Gjakovë, në kuadër të shënimit të realizimit të ushtrimit fushor “Ujku i Çeliktë”, në të cilin morën pjesë njësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës, njoftojnë nga kryeministria.

Po sot, Forca e Sigurisë e Kosovës, po organizon edhe Ditën e Vizitorëve.

Bëhet e ditur se gjatë kësaj vizite, ku ishte e pranishme dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu,  Kurti pa nga afër demonstrimin e aktiviteteve si dhe operacionet e shumta të pjesëtarëve të FSK-së, përfshirë ato ofensive, defansive dhe të stabilitetit.

Në adresimin e tij, ai tha se ndjehet shumë krenar sa herë që ndodhet së bashku me ta dhe në mesin e tyre, sikur sot në këtë ushtrim, i cili si i tillë është më i madhi dhe më i sofistikuari i realizuar ndonjëherë nga Forca e Sigurisë së Kosovës, me pjesëmarrjen e mbi 1000 ushtarakëve.

Ky ushtrim, siç tha kryeministri, përfaqëson më shumë se një testim të kapaciteteve tona mbrojtëse, është një tregues i qartë i përkushtimit, guximit dhe profesionalizimit të ushtrisë sonë.

“E veçanta e këtij ushtrimi është se pikërisht këtu, bëhet validimi i regjimentit të dytë të këmbësorisë të FSK-së, duke konfirmuar zhvillimin dhe forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë sonë drejt standardeve më të larta ndërkombëtare”, tha Kurti, duke shtuar se një element tjetër i rëndësishëm i këtij ushtrimi është përdorimi i pajisjeve dhe armatimit modern, të cilat janë blerë dhe integruar në flotën tonë në këto vitet e fundit. Këto pajisje dhe ky armatim i blerë sipas standardeve të NATO-s janë produkt i një strategjie të detajuar të investimeve tona në fushën e mbrojtjes.

Ky ushtrim tregon se Forca e Sigurisë së Kosovës është mburojë e vendit tonë, por edhe një partner i besueshëm për paqen dhe sigurinë rajonale, për aleatët e Kosovës, tha kryeministri, teksa shtoi se ushtria jonë ka treguar bashkëpunim dhe bashkërendim të shkëlqyeshëm me partnerët tanë strategjikë, duke dëshmuar aftësitë tona për ndërveprueshmëri, dhe duke përmbushur detyrat komplekse me efikasitet të plotë.

Në adresimin e tij, ai po ashtu u tha pjesëtarëve të FSK-së se ata janë frymëzim për të gjithë ne, e gjithashtu janë garanci e pathyeshme se e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta. Po ashtu shprehu mirënjohjen e tij të thellë dhe përgëzoi çdo ushtar dhe të çdo oficer që është angazhuar në përgatitjen dhe realizmin e këtij ushtrimi.

“Ju falënderoj që mbani lart nderin dhe krenarinë e vendit tonë me angazhimin tuaj edhe të përhershëm edhe të sinqertë. Ju jeni dalzotësit e atdheut dhe mburoja më e mirë e më e fuqishme për Republikën e Kosovës”, përfundoi kryeministri.

Të ngjajshme