25 Shtator, 2023 - 5:00 pm
Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se me krimin dhe terrorin nuk ka kompromis, ndaj dhe Kosova do të ngadhënjejë përballë strukturave armiqësore, siç qe rasti i djeshëm në Banjskë.
Madje Kurti në ceremoninë lamtumirëse të policit të vrarë të Kosovës, u shpreh se para se ai të varroset si hero në tokën e tij, portreti dhe profili i Afrim Bunjakut të skalitet në mbamendjen kolektive, transmeton klankosova.tv.
”Rënia në detyrë e rreshter, Afrim Bunjakut, i veshur në uniformën e Policisë së Kosovës, është një sakrificë në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetueshmëri, drejtësi e të drejta për çdo qytetar të Kosovës, pa dallim”.
”E heroizmin e Afrimit e vazhduan sërish me profesionalizëm dhe vetëmohim, kolegët e tij, policët e Kosovës që i përballën grupet e armatosura kriminale dhe terroriste të Serbisë në veri të Kosovës”.
”Përballë këtyre strukturave armiqësore, do të ngadhënjejë Kosova me përpjekjen e saj legjitime për rend dhe ligj dhe sovranitet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj”.
”Afër Afrimi, larg krimi. Me terrorin dhe krimin, nuk ka kompromis”./KlanKosova/KultPlus.com