Kurti nga Pakleku: Varri i përbashkët, dëshmi e gjenocidit të Serbisë

13 Korrik, 2024 - 2:32 pm

Kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje për drejtësi gjatë promovimit të librit “Shtëpia me gjak në mure”, dedikuar masakrës së Paklekut nga autori Afrim Hysenaj, në shtëpinë muze të masakrës në Drenas.

Ai ka thënë se ky libër i cili është në kujtim të viktimave, do të mbetet përkujtim për të gjallit.

“Ai hi i mbledhur, ai varr i përbashkët është dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës, është edhe thirrje për drejtësi edhe ky libër përshkohet nga kërkesa për drejtësi. Andaj, bëjmë thirrje që sistemi i drejtësisë të veprojë për drejtësi për viktimat e luftës”, ka thënë Kurti

Ai ka thënë se Pakleku mbetet dëshmi e përpjekjeve serbe për shfarosjen e shqiptarëve.

“Këtu në Paklekun e Moqëm, siç e quanin vendasit, plagët janë të njoma, shteti serb që po zbatonte projektin serbo-madh për shfarosjen e shqiptarëve u përpoq të zhdukte gjurmët e krimit gjenocidal duke i djegur trupat e të vrarëve”, ka thënë kryeministri.

Autori Afrim Hysenaj gjatë promovimit ka thënë se botimi i librit ka qenë proces më shumë se dy vjeçar. Ai ka ndarë kujtimet e bashkëpunimit me familjet që pësuan nga kjo masakër, Muçolli, Elshani, Carraku dhe Hoxha.

“Sa herë që vija këtu, sa herë që takohesha me familjarët e dëgjoja rrëfimet e tyre, obligimi kombëtar më shtrohej për ta dokumentuar gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Hysenaj./RTK/ KultPlus.com

Të ngjajshme