1 Prill, 2020 - 6:17 pm
Kryeministri në detyrë Albin Kurti së bashku me Ministren në detyrë të Arsimit, Shëndetësisë, Teknologjisë dhe Inovacionit Hykmete Bajrami kanë vizituar Shkollën Model “Qamil Batalli” në Prishtinë.
Kurti është takuar me drejtorin e kësaj shkolle Liridon Maliqi, Drejtoreshën e Drejtoratit të Arsimit të Komunës së Prishtinës Shpresa Shala, Drejtorin Televiziv dhe Kryeproducentin Faik Ispahiu dhe Drejtoreshën Ekzekutive të “TOKA” Jehona Gjurgjeala, mësuesit, arsimtarët dhe stafin vullnetar i cili po e realizon mësimin online.
Kryeministri në detyrë ka deklaruar se si Qeveri janë shumë të kënaqur me punën që po bëhet.
“Nxënësit tanë kanë mundësinë e marrjes së mësimit nga një ekip shumë mirë i përgatitur. E gjithë kjo punë e madhe po bëhet vullnetarisht”.
“Nga java e ardhshme mësimi do të fillojë 8 orë në ditë. Tani për tani nxënësit mund të marrin mësimin në gjuhën shqipe, turke dhe atë boshnjake”.
Kurti ka thënë se koronavirusi në Kosovë kryesisht po luftohet nga vullnetarët, njofton Klan Kosova.
“Mobilizimi i tyre në çdo fushë na jep shpresë për shprehinë e punës dhe solidaritetin shtetëror që po e ndërtojmë”. Klan Kosova / KultPlus.com