23 Janar, 2022 - 1:33 pm
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Blloku B2 i Termocentralit “Kosova B” është rikthyer në funksion, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Kurti ka njoftuar se sinkronizimi është bërë mbrëmë në ora 23:55.
“Rreth 200 euro kushtoi 1 MWh në bursën ndërkombëtare të energjisë dje. Mirëpo sot në ora 10:15 u kthye në punë blloku B2 i TC ‘Kosova B’, me fuqi 245 MW. Sinkronizimi është bërë mbrëmë në ora 23:55, gjendja e turbinës është e mirë dhe nuk ka pasur nevojë për balancim. Me fjalë tjera, për çdo orë do t’i paguajmë rreth 50 mijë euro import më pak, e deri nesër në mëngjes rreth 1,2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas. Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve”, shkruhet mes tjerash.
Kurti gjithashtu thotë se do të ishte shumë mirë që Kosova ta kishte tani TC “Kosova A”.
“Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MW fuqi secila!”.
Në fund të këtij muaji do të vendoset përfundimisht në qoftë se Kosova do të ketë çmim të faturës së energjisë elektrike. /KultPlus.com