10 Dhjetor, 2021 - 1:24 pm
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa zbardhur fatin e personave të pagjetur, transmeton KultPlus.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka organizuar aktivitetin me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
“Nga 10 qershori i vitit 1999 diku rreth një muaj edhe vet kam qenë i zhdukur, jo pse isha i zhdukur për vete por familja nuk e dinte se ku jam, deri atëherë kur na vizitoi Kryqi i kuq ndërkombëtar në korrik të vitit 1999”, deklaroi i pari i ekzekutivit.
Rëndësinë e të pagjeturve të luftës Kurti tregon se e ka përmendur në çdo takim me akterët më të lartë të shteteve ndërkombëtare.
“E kam përmendur çështjen e personave të zhdukur me dhunë, si çështje me prioritet dhe me urgjencë. Po ri-them, marrëveshje me Serbinë nuk ka pa u zgjidhur çështja e të zhdukurve me dhunë”, shtoi ai.
Ende si të zhdukur në luftën e Kosovës konsiderohen 1.638 vetë. /KultPlus.com