22 Janar, 2022 - 12:37 pm
Me rastin e 24-vjetorit të sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bënë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“Sot janë bërë 24 vjet, prej kur forcat policore e ushtarake të Serbisë ja mësynë gjatë luftës çlirimtare për herë të dytë kullës së Jasharajve, me ç‘rast i patën plagosur Selvete Jasharin, vajzën e Hamëz Jasharit dhe Iliriana Jasharin, vajzën e Rifat Jasharit”, tha Kurti.
Ky nuk është sulmi i vetëm mbi këtë kullë. Sulmi i parë kishte ndodhur në vitin 1991.
“E kemi obligim institucional, kombëtar e shoqëror, që këtë objekt të historisë së veçantë të Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi ta mirëmbajmë, sepse është një margaritar i historisë tonë të lavdishme e njëkohësisht edhe të dhimbshme”, tha në fund të deklaratës së tij i pari i ekzekutivit.
Pas homazheve, Kurti vizitoi kullat ku u takua edhe me familjen Jashari si dhe pa nga afër ndërhyrjet emergjente që po bëhen në këto kulla me qëllim mbrojtjen e tyre nga degradimi.
Ecjen e tyre e vazhduan deri te shtëpia e Hamit dhe Salë Jasharit. /KultPlus.com