20 Korrik, 2022 - 11:46 am
Më 22 korrik bienalja nomade Manifesta do të fillojë aventurën e saj në Kosovë, shkruan KultPlus.
Kjo do të jetë një prej ngjarjeve më të mëdha që mbahet në Kosovë ndonjëherë, derisa për këtë ka folur edhe në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Albin Kurti.
Ai e ka nisur mbledhjen me njoftimin për maratonën 100-ditore që kjo bienale do të dhurojë në Prishtinë – duke i dhënë një rëndësi tejet të veçantë kryeqytetit.
“Nga e premtja vendi ynë do të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve kulturore më të rëndësishme, bienales nomade Manifesta. Mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Manifesta sivjet ka një program 100 ditor që përfshin 25 lokacione, 55 intervenime artistike dhe 102 pjesëmarrës vendorë e ndërkombëtarë. Organizimi i kësaj ngjarje është dëshmi e aftësisë së shoqërisë tonë, dhe komunitetit artistik dhe institucioneve për të mirëpritur një numër të madh të artistëve dhe për ta shndërruar kryeqytetin në hapësirë të artit bashkëkohor. Përveç aspektit kulturor, padyshim që Manifesta do të jetë mundësi tejet e mirë e promovimit të vlerave të vendit tonë”, tha Albin Kurti. /KultPlus.com