26 Mars, 2023 - 4:57 pm
Sot është shënuar 24 vjetori i Masakrës së familjes Berisha në Suharekë, ku forcat serbe masakruan 50 antarë të kësaj familje, prej të cilëve 11 ishin fëmijë, përcjellë KultPlus.
Pas vrasjeve të kryera, serbët me qëllim të zhdukes së gjurmëve kishin rrëmbyer kufomat e antarëve të familjes Berisha.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se kjo e vërtetë kriminale e shtetit të Serbisë, nuk mund të zhduket e as nuk mund të harrohet.
“Para 24 vitesh, forcat serbe vranë dhe masakruan 50 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë. Mes tyre edhe 11 fëmijë. Pas vrasjeve, rrëmbyen edhe kufomat. Zhdukën kufomat, në përpjekje të zhdukjes të së vërtetës.
Por kjo e vërtetë kriminale e shtetit të Serbisë, nuk mund të zhduket e as harrohet. Kjo është e kaluara jonë e cila nuk kalon.’’, është shprehur Kurti në facebook.
Kryeministri kurti më tutje ka thënë se u përkulet të gjithë atyre të cilët u bënë flijë për lirinë e vendit dhe para familjarëve të cilët i mbijetuan kësaj masakre.
“U përkulemi për forcën e pashembullt të mbijetuarve të vetëm të kësaj masakre, zonjës Shyhrete, zonjës Vjollca dhe Gramozit.
Përkulemi me nderim të përjetshëm para të gjithë atyre që u flijuan.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, ka thënë Kurti.
Sot është shënuar 24 vjetori i masakrave të kryera nga Serbia edhe në fshatrat e Krushës së Madhe, ku mbetën të vrarë 243 persona, dhe Krushës së Vogël ku mbetën të vrarë 113 persona/KultPlus.com