7 Shkurt, 2020 - 2:42 pm
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar me rastin e vdekjes së artistes së madhe Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.
Kurti në rrjetin e tij social Facebook ka shkruar se ajo kishte talent të jashtëzakonshëm muzikor dhe humbjen e saj e ka cilësuar si të madhe për popullin shqiptar.
Postimi i plotë i Kurtit:
Sot për ty të gjithë i kemi sytë e njomë!Bilbili na la. Këngët e saj po më sillen nëpër kokë. Zëri i saj s’pushon. Mes pak minutave të lirë nga takimi në takim, që po i kam, po e gjej veten duke menduar rreth këtyre këngëve.
Nexhmije Pagarusha, talentja e papërsëritshme muzikore, vdiq sot në moshën 86 vjeçare. La pas vetes plot 5 albume e 88 këngë. Më shumë vepra se vite jete. Secila këngë më e mirë se tjetra.
Ngushëllime të gjithë artdashësve. Kjo është humbje e madhe për gjithë popullin e për muzikën. /KultPlus.com