7 Tetor, 2023 - 11:30 am
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Sky News ka folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë edhe polici kosovar, Afrim Bunjaku.
Kurti ka thënë se s’mund të ketë siguri që një gjë e tillë nuk përsëritet dhe ka potencuar se Kosova më mirë është të pëgatitet që edhe nëse ndodh një gjë e tillë përsëri, të dështoj sikurse më 24 shtator.
Kreu i Qeverisë kosovare ka thënë se Serbia dhe presidenti Aleksander Vuçiq janë plotësisht të përfshirë në atë që ka ndodhur më 24 shtator.
Kurti i është referuar Aleksander Vuçiqit si “Putin i vogël’, dhe Milan Radojiçiqit si “Prigozhini i vogël”, që Kurti thotë se Vuçiq e mban në malet rreth kufirit të Kosovës.
“Putini i vogël në Beograd, Aleksander Vucic, ka Prigozhinin e vogël në malet rreth Kosovës. Ai e pranoi që ka kryer sulmin terrorist. Ai është arrestuar si rezultat i presionit ndërkombëtar“, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti tutje ka thënë se ajo çfarë kërkon Kosova është që Radojiçiq të sillet në Kosovë për t’ia bërë gjyqin, dhe thotë se për një gjë të tillë Kosova kërkon edhe përkrahjen e aleatëve.
“Kjo është çfarë kërkojmë, dhe kjo është në atë çfarë partnerët duhet të na ndihmojnë të arrijmë. Presioni ndërkombëtar bëri që Serbia ta arrestojë. Ai duhet të ekstradohet në Kosovë”, ka thënë Kurti. / Express/ KultPlus.com