19 Nëntor, 2023 - 8:30 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO’s në Kosovë, Jens Stoltenberg, e planifikuar për 20 nëntor dëshmon për angazhimin e kësaj aleance ushtarake për sigurinë e Kosovës.
Stoltenberg pos Kosovës do ta vizitojë edhe Serbinë. Këto vizita vijnë pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës, ku kulmi ishte sulmi terrorist i 24 shtatorit.
Kurti në platformën X ka shkruar të dielën se edhe Bashkimi Evropian tashmë zyrtarisht po ekspozon synimin e Rusisë për të provokuar konflikt në Ballkanin Perëndimor.
“Vizita e ardhshme e Jens Stoltenberg në Kosovë dëshmon se angazhimi i NATO’s është i vendosur për sigurinë tonë. Me BE që ekspozon zyrtarisht synimin e Rusisë për të provokuar një konflikt të ri në BB6, rruga më e sigurt drejt paqes së qëndrueshme është dhënia e statusit të kandidatit në BE dhe integrimi në NATO”, ka shkruar Kurti teksa do ta pres sekretarin e NATO’s në takim.
Po ashtu, presidenca e Kosovës tashmë ka konfirmuar takimin e Vjosa Osmanit me Stoltenberg. / KultPlus.com