2 Korrik, 2021 - 4:43 pm
Më 2 korrik 1990 u miratua Deklarata Kushtetuese – gurthemel i pavarësisë së Kosovës. Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit.
Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb.
Sot, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka publikuar një video në faqen zyrtare në Facebook ku ka përkujtuar të gjithë delegatët e kësaj Deklarate.
”Para 31 vitesh, nën rrethimin e hekurt të tankeve e autoblindave të regjimit të Serbisë, triumfoi vullneti i lirë qytetar mbi legalitetin shtypës të Serbisë. Para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës, 111 delegatë miratuan publikisht Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e pavarur, si pararendëse e Republikës së parë të Kosovës. Nënshkrimi i kësaj deklarate, nga 114 delegatë, shprehte kërkesën e kombit shqiptar për liri dhe vetëvendosje politike në ish Jugosllavi.
Sot kujtojmë veprën e guximshme të delegatëve nënshkrues, që i mveshi ata me petkun e lavdisë së përjetshme. Në këtë 2 korrik të parë pa të, kujtojmë atdhedashësin artist, Adem Mikullovci, deputet i të dy republikave të Kosovës: asaj të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, dhe të 17 shkurtit 2008. Shëmbëlltyra e tyre, udhërrefyes për ne”, ka shkruar Kurti në mbishkrimin e videos. / KultPlus.com