Kryeministri Kurti përkujton Kennedy: Vazhdon të jetë udhërrëfyes për politikanët progresivë në mbarë botën

5 Qershor, 2023 - 1:50 pm

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar ish prokurorin e përgjithshëm dhe senatorin amerikan, Robert F. Kennedy, sot në 55 vjetorin e vrasjes tragjike të tij. Ai ka shkruar se Kennedy vazhdon të jetë udhërrëfyes për politikanët progresivë jo vetëm në ShBA, por në mbarë botën.

Sipas Kurtit, arritjet e Robert F. Kennedy, në politikën e brendshme si dhe të jashtme, mbahen mend edhe sot, më shumë se gjysmë shekulli pas vdekjes së tij, si model i politikave parimore në një shoqëri demokratike.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

“Disa i shohin gjërat ashtu siç janë dhe pyesin, pse? Unë i ëndërroj gjërat që kurrë s’kanë qenë dhe pyes, pse jo?”

Sot shënojmë 55 vjetorin e vrasjes tragjike të ish prokurorit të përgjithshëm dhe senatorit amerikan Robert F. Kennedy, gjatë kandidimit të tij për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I vrarë në një moshë të re, 42 vjeç, senatori Kennedy megjithatë ka kontribuar më shumë në progresin historik të ShBA-ve sesa gati çdo politikan tjetër i brezit të tij.

Arritjet e Robert F. Kennedy, në politikën e brendshme si dhe të jashtme, mbahen mend edhe sot, më shumë se gjysmë shekulli pas vdekjes së tij, si model i politikave parimore në një shoqëri demokratike.

Si prokuror i përgjithshëm në administratën e vëllait të madh, presidentit John F. Kennedy, Roberti udhëhoqi një luftë tejet efikase kundër korrupsionit, sidomos në sindikatat e asaj kohe, të cilat ishin të kapura nga figura famëkeqe të krimit të organizuar. Gjatë mandatit të tij, dënimet për krime të organizuara u rritën për 800%.

Po aq me rëndësi ishte kontributi i tij në politikën e jashtme. Duke u pozicionuar në mes të dy ekstremeve të dorëzimit dhe agresionit, Kennedy arriti të gjente një rrugëdalje nga Kriza e Raketave Kubane, duke shmangur një luftë të hapur bërthamore me Bashkimin Sovjetik. Kompromisi pa kapitullim: kjo ishte strategjia e tij e suksesshme në menaxhimin e krizës.

Si senator dhe kandidat për president, Kennedy, bashkë me Martin Luther King, Jr., ishte ndër avokuesit më të zëshëm për të drejtat e të varfërve dhe afro-amerikanëve. Vizioni i tij për një shoqëri demokratike të qytetarëve të lirë dhe të barabartë, vazhdon të jetë udhërrëfyes për politikanët progresivë jo vetëm në ShBA, por në mbarë botën. / KultPlus.com

Të ngjajshme