26 Tetor, 2024 - 2:50 pm
Mbrëmë është përkujtuar në një vjetorin e ndarjes nga jeta, artisti i mirnëjohur Luan Mulliqi, përcjell KultPlus.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:
I gdhendur në kujtesën tonë kolektive dhe mbresat tona si popull, do mbetet për jetë e mot Luan Mulliqi. Në atelienë e tij, mes familjarësh, miqsh e dashamirës, e përkujtuam artistin tonë të dashur, kur ka kaluar një vit nga ndarja e tij nga jeta.
Prania e tij mbetet e përhershme në hapësirat e përbashkëta publike, përmes shtatoreve e busteve që janë të vendosura gjithandej. Në Prishtinë Luanin e gjejmë te busti i Madeleine Albright, te Ismail Qemali, Fehmi Agani dhe Bob Dole, e në Gjakovë e gjejmë te busti i poetit Ali Podrimja, kurse në Shqipëri te skulptura monumentale e Nënës Terezë.
Sepse Luani vinte nga populli, dhe i rikthehej popullit me këto vepra artistike të cilat do t’i çmojmë përjetë./KultPlus.com