11 Shkurt, 2021 - 11:23 pm
Tenori i famshëm shqiptarë, Ramë Lahaj ka realizuar një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë në Instagram me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, shkruan KultPlus.
E nisur mbi diskutimin se Kurti kishte qenë përgjatë ditës së sotme në Istog, në qytetin prej ku ka edhe prejardhjen Lahaj, biseda vazhdoi tutje mbi çështjet e artit dhe kulturës.
Tenori nuk harroi përgjatë diskutimit të përmend edhe diasporën, si përkrahës të pandashëm individual e shtetëror.
“Mërgimtarët unë i kam pikë të dobët sepse unë i kam ata investitorë të mi. Jam jashtëzakonisht i kënaqur që ata nuk janë lodhur me neve, dhe prej tekave që ne herë pas here mund t’i kemi. E falenderoj mërgatën për kontributin e madh që e ka pasur për Kosovën”, është shprehur Lahaj.
Në anën tjetër, edhe Kurti s’ka lënë pa folur për këtë pjesë.
“Kurrë nuk arrijmë ta kalkulojmë kontributin. Nganjëherë ju them se ju jeni fajtor edhe për luftën çlirimtare edhe për paqen sociale, sepse asnjërën s’do ta kishim pa ju. Sa më shumë që marin pjesë në votim mërgata aq më e shëndetshme është demokracia”, ka thënë kandidati për kryeministër nga LVV.
Lahaj përmendi se vetë ideja e kësaj lidhjeje direkte nga ana e tij, ishte diskutimi për artin dhe kulturën, gjendjen institucionale e kolektive të këtyre dy sferave.
“Viteve të fundit e kam pasur fatin të udhëtoj nëpër disa kontinente ku kam performuar në sallat më me nam në të gjithë botën. Meqë unë nënën e kam ende në Istog edhe vijë në baza mujore”, tha Ramë Lahaj.
“20 vite pas lufte, më vie turp t’iu tregoj kolegëve që s’kemi akoma një Teatër Opere apo Drame, apo një Sallë Koncentrale. Unë e kam thënë disa herë që Prishtina është shumë mirë, do të mund të kishte një sallë universale ku do të kishim Teatër Drame, Teatrin e Operas dhe sallën koncentrale”, u shpreh Lahaj.
Lahaj përmendi se shumë shpesh është kritikuar nga kolegët dhe opinioni publik se po përzihet në çështje politike, mirëpo tenori tha se këtë e bën për gjendjen e vendit të vet.
“Unë reagoj si qytetar i atij vendi ku jam rritur aty dhe në fatin tim të zhvillimit profesional, kur kthehem në vendlindje dhe e sheh që edhe 20 vite prapa hapi është prapa, është vërtetë zhgënjeyese”, theksoi tenori i njohur kosovar.
Lahaj kërkoi premtim nga Kurti, duke thënë se edhe kjo ka qenë arsyeja e pjesëmarrjes në këtë lidhje direkte.
“Talentet që i kemi ne, ata që e zbulojnë veten dhe ata që i zbulon procesi arsimor, do të dekurajohen nëse nuk e kanë infrastrukturën bazike. Kjo është arsyeja që ne kemi thënë që do ta themelojnë Teatrin e Operas dhe Baletit si institucione të vetqëndrueshëm. Gjithashtu do të ideojmë Teatrin e ri Kombëtar”, premtoi Kurti.
“Është shumë interesant propozimi për një sallë universale , e cila do të mund të shërbejë me mundësi multifunksionale për gjinitë e ndryshme të artit”, tha kreu i LVV-së.
“Ne do të përqendrohemi që institucionet e artit të kenë një buxhet vetjak dhe të qëndrueshëm, të mos jenë linja buxhetore në kuadër të Ministrisë së Kulturës, por të jenë taman institucione të kulturës”, u shpreh Albin Kurti.
Një ide tjetër e përmendur nga kandidati për kryeministër qe edhe rrjetëzimi arsimor i institucioneve kulturore.
“Institcionet kulturore t’i lidhim me sistemin arsimor, për shkak se shumë shfaqje, koncerte që jipen fatkeqësisht janë të shkëptura nga sistemi arsimor dhe është shumë dëm që studentët e fakulteteve të catuara, pse jo edhe nxënësit e gjimnazeve nuk janë të organizuar shikues dëgjues vizitorë aty”, u shpreh Kurti.
“Përndryshe të gjithë talentët do na ikin e s’do kenë ku të kthehen”, tha Albin Kurti.
Tutje, Kurti çmoi edhe rolin promovues të artit të Lahajt për Kosovën.
“Ju keni investuar në imazhin e shtetit tonë, duke qenë edhe më shumë se ambasdor, ndonëse i pashpallur, por në anën tjetër është më shumë se ata që ju takojnë e dëgjojnë juve mendojnë se kush e di çfarë sallash kemi këtu, është e pikëllueshme në çfarë gjendje jemi”, tha ai.
Lahaj përmendi që së fundmi ka marrë pjesë në një workshop me Apostollovën, në të cilën ka parë talente të shumta, por që në vendin tonë i kanë mundësitë e kufizuara.
“Akoma jemi një vend ku nuk mund të lëvizim për ta bërë një audicion”, u shpreh tenori.
“Nuk është investuar në aspektin shtetëror për të bërë një film për luftën, për historinë tonë. Në njëfar forme historia jonë keq transmetohet. Është e dhimbshme, zhgënjyese”, përmendi Ramë Lahaj.
Kurti përmendi që te filmat shqiptarë kemi një dominim të regjisoreve gra, teksa edhe trajtimi i luftës për nga aspekti tematik është më i veçantë.
“Te filmat ka një lloj dominimi të regjisoreve gra, një lloj trajtimi i luftës nga pasojat që nuk kalojnë, si “Zgjoi”, “Shpia e agës”, “Zana”, tha ai.
“Është një lloj filli që i lidh këta filmi, që mua më ka tronditur sepse është pikëpamja e pasluftës për pasojat që ngelin me neve, një luftë e pasluftës”, u shpreh Kurti.
“Ndoshta është tipike për regjisoret gra, sepse ato e kanë vuajtur luftën, ndërkohë që mirënjohja për burrat ka qenë gjithmonë më dominuese, kurse janë pikërisht gratë ato për të cilat s’ka përfunduar lufta”, vlerësoi Kurti.
“Një luftë që ska përfunduar, në psikikën dhe në pasojat materiale të jetës së tyre, por besoj që kur kemi parasysh se sa shumë ka munguar përkrahja, sukseset janë shumë më tepër”, konkludoi Albin Kurti
“Për aspektin e talenteve të reja, këtu duhet më së shumti edhe me institucionet e artit e kulturës edhe me sistemin arsimor të punojmë që këto workshope të mos jenë fascinim e pikëllim por të ushqehen pastaj”, tha kreu i LVV-së.
Në anën tjetër, Kurti foli edhe më tej për institucionet kulturore të cilat premtoi se gjatë qeverisjes së tij do të jetësohen.
“Siç e thashë ne do ta themelojmë si institucione të vetqëndrueshëm Teatrin e Operës dhe Baletit, këtë po e them si institucione por jo si infrastrukturë fizike e materiale. Nuk është mirë të ndërtojmë diçka nën mesatare, mund të jetë edhe një sallë muntifunksionale, por kur ta ndërtojmë le të jetë mirë”, u shpreh Kurti.
“Ne duhet të ulemi me komunitetin artistik, njerëzit e kulturës, ta kemi një konkurs meritor edhe për arkitekturën edhe për multifunksionalitetin e saj. Nuk e kemi ndërmend ta bëjmë edhe punën e inxhinierit, arkitektit, muzikologut si Qeveri por duhet ta fusim për buxhetin e vitit 2022”, premtoi Kurti.
“Në formë të pashmangshme arti është mjet i përditshmërisë, pavarësisht pse nuk shkojmë në teatrin e dramës, filmit. Është përgjegjësi institucionale për t’i krijuar ato, dhe për të rinjtë, që ata t’i çojnë ëndrrat për talentet e tyre”, tha tenori shqiptar.
“Unë kam filluar studimet në moshën 21 vjeçare kur nuk kisha as bazë të muzikës, po do të doja për të tjerët që të ta kenë një teatër ku prindi i çon fëmijët për ta përjetu artin”, shprehi dëshirën e tij Ramë Lahaj.
“Në vitin 2021 po shpresoj të kemi një teatër të mirëfilltë, e jo një ku ende rrihet me kova për të mbuluar pikat e shiu, po ku edhe prindi ndihet krenar për ta dërguar fëmiun në teatër”, u shpreh tenori.
“Do të insistoja një lloj institucionalizimi të kësaj, duke shkuar shkollat fillore e të mesme në teatër, koncert e kështu me radhë. Ka mundësi që përmes arsimtarëve e profesorëve ta bëjmë një pjesë të mirë të punës sepse nganjëherë prindërit nuk e bëjnë këtë”, përfundoi Kurti.
Biseda mes tenorit dhe Kurtit përfundoi me shpresën se Lahaj i ka thënë brengat e komunitetit artistik dhe se kandidati i LVV-së do t’i realizojë premtimet e dhëna. / KultPlus.com