13 Maj, 2022 - 8:30 pm
I pari i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti i cili po qëndron në SHBA ka zhvilluar një takim me guvernatoren e Iowas, Kim Rejnolds.
Sipas njoftimit për media nga ekzekutivi kosovar, të dy diskutuan “për krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit, për rritjen e investimeve, ngritjen e kapaciteteve njerëzore, shfrytëzimin e potencialit natyror si dhe për promovimin e vlerave të përbashkëta të të dyja vendeve”.
“Në veçanti u vlerësua partneriteti në mes të Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe qëllimi afatgjatë për zhvillimin e ngritjen e mëtejme të saj dhe përafrimin e kushteve për anëtarësim në NATO”, thuhet në njoftimin për media të qeverisë.
Po sipas të njëjtit njoftim Kurti theksoi se Kosova është faktor stabiliteti në rajon dhe se do te vazhdojë të jetë kontribuese për sigurinë në rajon dhe botë, në mbrojtje të paqes dhe vlerave demokratike, përkrah aleatëve, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Në këtë takim, thuhet se morën pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, koloneli Ejup Maqedonci, dhe shefi i Misionit në Konsullatën në Iowa, Artan Duraku./ KultPlus.com