22 Shtator, 2022 - 9:28 pm
Është mbajtur për herë të parë në Kosovë Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor, një ndër ngjarjet më të mëdha në sektorin e TIK-ut, shkruan KultPlus.
Kryeministri Albin Kurti, përmes një postimi në ”Facebook”, ka thënë se eventi është organizuar nga Ministria Ekonomisë, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council – RCC).
Postimi i plotë:
Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor
Ngjarja më e madhe rajonale në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), që ka filluar në kuadër të Procesit të Berlini, u zhvillua për herë të parë në vendin tonë.
Prishtina ishte nikoqire e Samitit Digjital për Ballkanin Perëndimor, edicioni i pestë, i organizuar nga Ministria Ekonomisë, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council – RCC).
Në këtë samit dy ditor, me 9 panele e 16 ngjarje anësore, morën pjesë rreth 500 pjesëmarrës, më shumë se 200 biznese, mbi 30 organizata joqeveritare, e më shumë se 60 folës, përfshirë anëtarë të Parlamentit Evropian, përfaqësues të qeverive, përfaqësues të Bankës Botërore, akademisë, përfaqësues të bizneseve nga Ballkani Perëndimor, BE dhe më gjerë.
Shkathtësitë digjitale, infrastruktura digjitale, siguria kibernetike e ekonomia digjitale, janë theksuar gjatë samitit si prioritete nga shtetet e rajonit në fushën e digjitalizimit.
Zhvillimi i kapaciteteve njerëzore për nevojat e industrisë së TIK-ut është mundësia kryesore për çlirimin e potencialit të rritjes së sektorit të TIK-ut në Kosovë. Në bashkëpunim me BE-në dhe Bankën Botërore janë duke u trajnuar mbi 3.500 të rinj në fusha të ndryshme të TIK. Këtë vit kemi ndarë 957 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të Teknologjisë së Informacionit dhe Kompjuterikes dhe 1356 bursa universitare për vajza në fushën e STEM.
Rinia jonë e aftë në teknologji dhe shpirti sipërmarrës i të rinjve tonë, është potenciali i madh kombëtar për transformimin digjital. Me këtë synojmë avancimin e administratës publike, sistemit arsimor, sektorit të shëndetësisë, sistemit të drejtësisë dhe të gjitha fushave të tjera të qeverisjes.
Javën e kaluar në Qeveri e aprovuam Ligjin për Siguri Kibernetike, që themelon Agjencinë për Siguri Kibernetike, si institucion kyç përgjegjës për caktimin dhe zbatimin e masave për siguri kibernetike në Republikën e Kosovës, Kjo agjenci do të kontribuoj në rritjen e kapaciteteve nacionale në fushën e sigurisë kibernetike. Këtë javë bëmë lansimin e Sistemit Nacional për Monitorim të Spektrit Frekuencor që ka implikim direkt në sigurinë kibernetike të vendit tonë.
Në kuadër të zhvillimit të e-Qeverisjes, disa nga shërbimet e digjitalizuara që janë lansuar në portalin eKosova përfshijnë: pagesat elektronike për shërbime qeveritare, certifikatat online të gjendjes civile, vazhdimin e regjistrimit të veturës për qytetarë dhe biznese, shërbimet online për aplikim për shtesa për fëmijë e lehona, si dhe një sërë shërbimesh të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Sot portali eKosova ka mbi 690 mijë shfrytëzues të regjistruar. Deri më tani janë realizuar mbi 630 mijë përdorime të shërbimit të faturës së tatimit në pronë, mbi 425 mijë përdorime të shërbimeve për gjobat në trafik, dhe mbi 133 mijë përdorime të shërbimeve për automjete.
Jemi duke bërë hapat e parë drejt hapjes së dyerve për pilotimin dhe zbatimin e rrjeteve 5G.
Po hedhim bazat strategjike të digjitalizimit në të gjithë sektorët. Mbesim të përkushtuar të kemi qasje të unifikuar, të bashkërenduar dhe të harmonizuar ndaj digjitalizimit. /KultPlus.com