9 Mars, 2020 - 12:02 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu është drejtuar deputetëve, gjatë seancës për ngritjen e vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Kanë kaluar 22 vjet. Sot jemi këtu në Kuvendin e Republikës, për të folur për një çështje që është sa e dhimbshme, po aq tragjike”, ka thënë ai.
“22 vjet kanë kaluar, por plagët i kemi ende të hapura. Ne nuk mundemi as ta imagjinojmë dhimbjen dhe tmerrin që kanë përjetuar të mbijetuarit e dhunës seksuale”, ka shtuar kryeministri Kurti.
Ai e ka theksuar domosdoshmërinë që kriminelët e luftës të dënohen, raporton Koha.
“Heshtja dhe mosveprimi e mbrojnë krimin dhe ekzekutuesin e krimit. Gjykatat dhe prokuroritë tona duhet t’i trajtojnë me seriozitetin maksimal”.
Ai e ka bërë të ditur se qeveria është e gatshme ta plotësojë çdo kërkesë të prokurorisë për rritjen e kapaciteteve.
“Jemi të vetëdijshëm për ndarjen e pushteteve. Ju bëj thirrje personave të dhunuar që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre. Përdhunimet gjatë luftës janë krimet ma të tmerrshme qe kanë ndodhur, por asnjëherë nuk janë diskutuar me Serbinë. Pa ndëshkimin e krimeve të luftës nuk mund te kemi qetësi”, ka thënë ai. / KultPlus.com