24 Prill, 2022 - 1:52 pm
Ekipi kosovar, Bad News Eagles ka shënuar histori gjatë ditës së sotme, duke u kualifikuar për herë të parë në një turne madhor në Counter-Strike:Global Offensive, shkruan KultPlus.
Pas triumfit madhështor ndaj ekipit çek, Sinners, me rezultat 2:1, Bad News Eagles u kualifikuan për të shkuar tutje në PGL Major e cila do të zhvillohet në Antwerp të Belgjikës.
Për këtë gjë ka reaguar edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili ka uruar djemtë për këtë arritje të jashtëzakonshme.
“Bravo gamers! Kosova bën historinë me kualifikimin në PGL Antwerp Major 2022. Bad News Eagles sot mposhtën Sinners me rezultat 2:1. Kjo fitore i bën pjesë të garës më të madhe të vitit për CSGO. Pra, prej internet kafesë, ku filluan ushtrimet e para, BNE nga sot na përfaqësojnë në garën më të madhe në botë. I gëzohem çdo të arriture të rinisë sonë. Ata po na dëshmojnë çdo ditë se kur kombinohet pasioni dhe puna, suksesi është i garantuar”, ka shkruar Kurti. /KultPlus.com