1 Qershor, 2021 - 10:08 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar ditën e fëmijëve, duke theksuar se janë zotuar të ndihmojnë fëmijët në varfëri, fëmijët që janë viktima të dhunës e ata që janë me nevoja të veçanta, shkruan KultPlus.
Kryeministri e ka shkruar këtë në një postim në Facebook ku ndër të tjera ka shkëputur një deklaratë të një fëmije që ishte viktimë e dhunës në familje.
“M’u dha ky fragment nga deklarata e një fëmije, viktimë e dhunës në familje: “I kom ndihmu mamit me çelë derën për me ik prej babit!”, ka shkruar ai.
Tutje ai ka shtuar se çdo akt i dhunës qoftë fizike, psikologjike a seksuale ndaj fëmijëve, duhet të trajtohet me seriozitet të lartë, përpos në nivelin institucional, edhe në atë socio-ekonomik e shoqëror.
Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:
Në Ditën e Fëmijëve përuruam çerdhen e parë publike në Prizren, e më pas iu bashkuam fushatës “Bëhu mburoja ime’’ në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, që u lansua sot nga HANDIKOS.
M’u dha ky fragment nga deklarata e një fëmije, viktimë e dhunës në familje: “I kom ndihmu mamit me çelë derën për me ik prej babit!”.
Edhe kur kemi shkruar zotimet, edhe sot kur jemi në krye të shtetit, në mendje dhe zemër, i kemi para së gjithash fëmijët e vendit tonë, që janë e ardhmja jonë. Jemi zotuar që më së shumti e më së pari të ndihmojmë fëmijët në varfëri, fëmijët që janë viktima të dhunës dhe fëmijët me nevoja të veçanta, të cilët e kanë të domosdoshëm kujdesin e shtetit.
Çdo akt i dhunës qoftë fizike, psikologjike a seksuale ndaj fëmijëve, duhet të trajtohet me seriozitet të lartë, përpos në nivelin institucional, edhe në atë socio-ekonomik e shoqëror.
Do t’i trajtojmë me efikasitet procedurat e nevojshme pёr mbrojtjen dhe trajtimin e fёmijёve që kanë pësuar nga dhuna në familje. Qëndrojmë të hapur për bashkëpunim ndërinstitucional dhe shoqëror që të punojmë për fëmijët e vendit tonë./ KultPlus.com