11 Nëntor, 2022 - 8:22 pm
Sot në kazermën “Adem Jashari” janë betuar 311 rekrutët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku edhe morën titullin Ushtar i Kosovës, shkruan KultPlus.
Për këtë reagoi edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ushtria është detyrë e projekt madhor i tyre.
Postimi i plotë:
“Ushtria është detyra dhe projekti ynë madhor
Në kazermën “Adem Jashari” sot u betuan 311 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe morën statusin Ushtar i Kosovës.
Ndërsa dje, me shumicë votash Kuvendi miratoi tri projektligje që fuqizojnë bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së dhe të drejtat e obligimet për pjesëtarët e FSK-së: plotësim-ndryshimin e Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Ministrinë e Mbrojtjes.
Ushtria jonë po forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin. U jemi mirënjohës partnerëve, vendeve mike e aleate për gjithë përkrahjen në modernizimin dhe trajnimin e FSK-së”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com