17 Shkurt, 2024 - 7:05 pm
Kryeministri Albin Kurti, në pritjen shtetërore për nder të 16-vjetorit të pavarësisë, ka thënë se Kosova ka udhëtuar bashkë me aleatë për mbi tri dekada.
Sipas tij kështu edhe do të vazhdohet, derisa ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për partnerët amerikanë dhe evropianë.
“Si më 1999, 2008 dhe tash më 2024 në ditëlindjen e 16 Kosovës i kanë qëndruar pranë miq dhe aleatë dhe bashkë do të vazhdojmë si në kohë festive ashtu edhe në ato të përkujtimit dhe të vështirat”.
“Me miq jemi më të fortë, më të sigurt. Bashkë kemi ardhur dhe bashkë do të përparojmë për atje ku jemi nisur. Ishin 19 shtete që ndërhyn ushtarakisht më 1999, janë 117 shtete që e kanë njohur pavarësinë. Vetëm kështu të fortë me miq dhe aleatë, Kosovë ne të dalim zot”, ka thënë Kurti.
Na fjalën e tij, Kurti si rrallë herë ka përmendur edhe drejtuesit shtetërorë të kohës së shpalljes së pavarësisë.
“Më 17 shkurt 2008, deputetët e Kuvendit të Kosovës, si përfaqësues të zgjedhur në zgjedhje të lira dhe demokratike e shpallën Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Mbi pergamenën e kuruar ku ishte dorëshkruar teksti i deklaratës së pavarësisë., krahas 109 deputetëve nënshkrues u nënshkruan edhe tre krerët shtetërorë: Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe Kryeministri Hashim Thaçi i cili e lexoi atë në kuvend”.
Kurti gjtihashtu ka përmendur edhe presidentin historik, Ibrahim Rugova, intelektualin dhe patriotin Adem Demaçi. /KultPlus.com