11 Dhjetor, 2023 - 10:26 pm
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me bashkëpunëtorë ka vizituar Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), ku u prit nga U.d. Avni Kastrati dhe stafi tjetër.
Në njoftimin për media nga ASK-ja, thuhet se çështjet kryesore për të cilat u fokusua interesimi i kryeministrit ishin regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave (REKOS 2024) dhe digjitalizimi.
Andaj, ai fillimisht vizitoi Qendrën Mbështetëse të Regjistrimit, ku u njoftua nga afër me aktivitetet kryesore, si: puna rreth instalimit të programit në tabletë, serverët e hartave digjitale, planet për regjistrim etj.
Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e tij të plotë se do ta mbështesë ASK-në në realizimin me sukses të Regjistrimit të Popullsisë, si një nga projektet më kapitale me interes kombëtar.
U.d.kryeshefi i ASK-së, Avni Kastrati, e njoftoi kryeministrin për situatën aktuale në ASK, konkretisht sfidat me mungesën e stafit, kapacitetet profesionale, perspektivat dhe procesin e digjitalizimit.
Për më tepër, kryeministri inkurajoi një koordinim sa më të ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe ASK-së për të siguruar statistika të sakta dhe gjithëpërfshirëse, të nevojshme për zhvillimin e politikave dhe strategjive të Qeverisë, si dhe për të gjithë shfrytëzuesit e tjerë.
Kjo vizitë është hera e parë, që një kryeministër viziton Agjencinë e Statistikave të Kosovës, e që është një inkurajim shtesë për aktivitet e ndryshme të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).