31 Janar, 2022 - 2:20 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Presidentën Vjosa Osmani kanë vendosur kurorë lulesh te shtatoret e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci, shkruan KultPlus.
“Komandanti Zahir Pajaziti ishte ndër pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën kryenin aksione kundër okupatorit edhe para se të fillojë lufta çlirimtare”, tha Kurti pas homazheve në sheshin e Dëshmorëve në Besianë, në 25-vjetorin e rënies së tyre.
Ai tha se Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu ishin kushtrimi i çlirimit dhe ata i dhanë një hov të jashtëzakonshëm Ushtrisë Çlirimtare. E rritën edhe besimin e popullit në UÇK, por edhe vetëbesimin e popullit.
Andaj, bashkë Vjosa Osmanin, Kryetarin e Komunës së Besianës, Shpejtim Bulluqi dhe kolegë e bashkëpunëtorë të tjerë, Kurti vendosi lule të freskëta për këta luftëtarë të paepur, të cilët nuk kursyen asgjë për atë që është më e shtrenjta për vendin dhe popullin tonë, lirinë e Kosovës.
Lavdi Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës, Ilir Konushevcit dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të populli tonë, tha në fund shefi ekzekutivit.
Nga aty, Kurti dhe Osmani po ashtu bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh edhe te varri i Zahir Pajazitit në Kompleksin Memorial në Orllan. /KultPlus.com