8 Prill, 2022 - 7:45 pm
Raportet e mira ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, avancimi i mëtejmë i tyre dhe i fqinjësisë së mirë, u diskutuan në takimin, që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në margjina të Forumit Ekonomik në Delfi.
Kurti gjithashtu zhvilloi takim me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák.
Në këtë forum, i pari i ekzekutivit është takuar edhe me Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Aty u bisedua mbi sukseset e Republikës së Kosovës në ekonomi, me ngritjen e paprecedent ekonomike dhe në drejtësi, me luftimin e korrupsionit dhe grupeve kriminale. Në takim u diskutua edhe rreth zhvillimeve në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon, me theks te invazioni rus dhe agresioni ushtarak në Ukrainë. U diskutua për ndikimin rus dhe rrezikun e nxitjes së konflikteve të mundshme në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Si pasojë e këtyre zhvillimeve, kryeministri potencoi nevojën për kthimin e vëmendjes për sigurinë në rajon dhe investimeve në Kosovë. Ai theksoi renditjen e Kosovës përkrah botës demokratike në sanksionimin e Rusisë, si edhe për gatishmërinë e qeverisë së Republikës së Kosovës për të pranuar 5000 refugjatë nga Ukraina. /KultPlus.com