25 Maj, 2020 - 1:27 pm
Aki Nuredini jeton në Vjenë nga fillimi i viteve 80-të. Ndonëse shqiptar nga Maqedonia e Veriut, në metropolin austriak ai njihet më shumë si “italiani” për shkak të restorantit të tij “Sole”. I entuziazmuar pas teatrit dhe operës Nuredini është mik me dirigjentin Zubin Mehta, me këngëtaren e operës Ana Netrebko, me tenorin Placido Domingo – dhe natyrisht me gati secilin politikan austriak të nivelit të lartë. Për meritat e tij humanitare është dekoruar nga qeveria e Austrisë. Përveç Placido Domingos në lokalin e Nuredinit kanë qenë mysafir edhe José Carreras dhe Luciano Pavarotti. Një rrugë e gjatë dhe një ëndërr që nisi në fshatin Kamjan pranë maleve të Sharrit
“Akiu është mikpritës dhe e ka hutuar presidentin e Austrisë në stilin e tij”. Ky ishte reagimi i një politikani në Prishtinë, i cili e njeh Aki Nuredinin dhe Vjenën. Nuredini është pronar i restorantit “Sole” në zemër të Vjenës. Në kopshtin e “Sole” policia austriake mbrëmë pas mesnatës e gjeti presidentin e vendit Alexander Van der Bellen duke bërë muhabet me gruan e tij. Rregullat e reja për shkak të koronës thonë se lokalet në Austri duhet të mbyllen në orën 23:00.
“Sole” në italisht domethënë diell. Kur erdhi në vitin 1983 në Vjenë, Aki Nuredini deshi të sjellë pak diell në metropolin e Austrisë, duke hapur një lokal me kuzhinë italiane. Kuzhina austriake dhe gjermane deri vonë kanë qenë të njohura vetëm për akrobacione me patate, jo më shumë. Kuzhina italiane e ka ndryshuar qasjen e njerëzve ndaj ushqimit dhe ka ndikuar në socializimin e tyre. Qëllimi i vajtjes në restorant nuk është vetëm mbushja e barkut me patate, por shijimi i specialiteteve që dinë t’i përgatisin vetëm italianët, shijimi i jetës, inspirimi, harresa e gjërave të mërzitshme të përditshmërisë.
Ndonëse shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Aki Nuredini në metropolin austriak njihet më shumë si “italiani” për shkak të restorantit të tij “Sole”. Akiu erdhi në Vjenë nga Jugosllavia e atëhershme. Në Beograd kishte mbajtur një restorant me kuzhinë mediterane, Vjena ishte hapi i ardhshëm i rëndësishëm në karrierën e tij si mikpritës, adhurues i kuzhinës, pronar restoranti, njeri që i bën mysafirët të ndihen si në shtëpinë e tyre (ose më mirë), e mbi të gjitha si njeri që i pëlqen eleganca, arti, muzika, teatri. Lokali “Sole” gjendet në një rrugicë në pjesën e vjetër të qytetit. “Në këtë rrugicë u pata dashuruar në shikim të parë”, ka thënë Nuredini për një revistë austriake.
Në gati 40 vitet e punës “Sole” është bërë një nga pikëtakimet më të rëndësishme të skenës kulturore dhe politike austriake dhe ndërkombëtare. Lokali i Nuredinit frekuentohet rregullisht nga artistët më të famshëm të operës, me shumicën prej tyre ai ka miqësi, mes tyre janë dirigjenti Zubin Mehta, këngëtarja e operës Ana Netrebko, tenori Placido Domingo. Me një fjalë: yjet më të rëndësishëm të botës së operës.
Meqë Nuredini ka sens për të bukurën, ai para disa vitesh e ka angazhuar arkitektin e njohur austriak Johannes Spalt për ta zgjeruar dhe ridizajnuar lokalin. Në katin e parë të lokalit vizitorët mund të shohin edhe pikturat e Johannes Spalt. Në vitin 2005 edhe Nuredini shkroi një libër, “Sole. Aki Nuredini dhe bota e tij e artit” (gjendet në Amazon). Libri u prezantua në Operën Shtetërore të Vjenës (natyrisht me 800 mysafirë dhe me një koncert, sepse ndryshe as që ka kuptim në një metropol si Vjena). “Sole” gjendet afër ndërtesës së Operës.
Krahas artistëve në lokalin e Nuredinit, i cili është me origjinë nga Tetova, vijnë shpesh edhe politikanët kryesorë të Austrisë, kancelarë dhe presidentë, deputetë dhe ministra. Të dielën mysafir ishte presidenti austriak Alexander Van der Bellen, i cili, siç njoftoi, ishte habitur duke biseduar dhe kishte harruar se në orën 23:00 duhet të largohet nga lokali për shkak të rregullave të reja të pandemisë. “Sole” është gjithashtu një vend i preferuar edhe i shumë politikanëve shqiptarë nga Prishtina, Tirana e Shkupi.
Në jetën publike të Vjenës Nuredini vlerësohet për angazhimin e tij humanitar. Shpesh organizon aksione humanitare, për shembull për të sëmurët nga kanceri. Në këso rastesh ai dhuron deri në 50 mijë euro. Qeveria e Austrisë e ka dekoruar për meritat e tij për republikën austriake. Laudacion me rastin e dekorimit e ka mbajtur Dominique Meyer, drejtor i Operës Shtetërore të Vjenës.
Nga Tetova te restoranti “Sole” ka qenë një rrugë e gjatë. “Gjyshi im ka qenë gastronom, ka pasur disa lokale, furra buke dhe restorante, të cilat i ka udhëhequr me sukses. Jam krenar me të dhe kam mësuar shumë prej tij. Në Beograd së pari kam punuar në furrë dhe në restorantin e babait tim. Në moshën 23-vjeçare kam hapur restorantin tim në qendër të Beogradit”, ka thënë Nuredini për mediat austriake. Në vitin 1991, kur po e zgjeronte lokalin, ai kishte një ëndërr: “Nëse arrij që në lokalin tim t’i sjellë tre tenorët më të famshëm të botës, Placido Domingon, José Carreras dhe Luciano Pavarottin, atëherë do dalë në pension”. Këtë ëndërr Nuredini e ka realizuar, por ai vazhdon ende me entuziazëm të drejtojë lokalin në Vjenë. Një xhentëlmen, që çdo ditë i pret me ngrohtësi mysafirët prominentë dhe më pak prominentë.
Nganjëherë Nuredini i befason mediat austriake. Më 2018 ai i tha një mediumi vjenez: “Javën që shkoi në kuzhinën time ka zier Daniel Barenboim”. Po, e lexuat saktë: Daniel Barenboim, dirigjenti dhe pianisti me famë botërore, hebre argjentinas, humanist i madh, aktivist politik, përkrahës i pajtimit mes izraelitëve dhe palestinezëve. Nuredini zbulon: “Daniel Barenboim më ka ftuar dy javë në Buenos Aires, atje përjetova mbrëmje madhështore me Marta Argerich, Jonas Kaufmann, Ramon Vargas dhe orkestrën e tij ‘West-Eastern-Diwan Orchestra’”. Një rrugë vërtet e gjatë që nisi në fshatin Kamjan pranë maleve të Sharrit. “Në Beograd kam shitur edhe gështenja”, thotë Nuredini. Ky është një koketim simpatik me të kaluarën për të treguar se në jetë shumë ëndrra bëhen realitet, përtej shijes së gështenjës.