1 Gusht, 2023 - 8:32 pm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese se Ligji për Pagën Minimale për mund të hyjë në fuqi vetëm pas vendimit përfundimtar të kësaj gjykate.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Bekim Kupina, zëdhënës për media në presidencën e Kosovës.
”Pas pranimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji, Gjykata Kushtetuese e ka njoftuar Presidenten Osmani për kontestimin e ligjit. Përmes këtij njoftimi, bazuar në Kushtetutë dhe ligjin për Gjykatën Kushtetuese, gjykata e ka njoftuar Presidenten se ky ligj, mund të dekretohet dhe të hyjë në fuqi, vetëm pasiqë Gjykata Kushtetuese ta ketë nxjerrë vendimin përfundimtar për ligjin e kontestuar, sipas praktikave standarde që ndiqen në raste të tilla dhe që janë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për GJK”, ka thënë ai.
Më 21 korrik, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AKK), e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për Pagën Minimale.
Kjo pasi në atë ligj nuk janë përfshirë edhe veteranët e luftës, të cilët thonë se sipas ligjit për veteranët pagesa e tyre mujore përcaktohet sipas pagës minimale.
Ligji për Pagën Minimale përfshin pagën 264 euro bruto, pa dallim moshe.
Me ligin e vjetër paga minimale është 130 euro për personat deri në moshën 35-vjeçare dhe 170 pas kësaj moshe.
E veteranët paguhen 170 euro, por thonë se është padrejtësi të mos përfshihen në rritje.
SI përgjigje ndaj kësaj padrejtësie siç thonë ata kanë organizuar protestë.
Pas asaj proteste kërkuan takim nga presidentja, Vjosa Osmani e cila nuk e ka aprovuar hyrjen e këtij ligji në fuqi deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. /Gazeta Express/KultPlus.com