13 Shtator, 2024 - 10:05 am
Më 13 shtator 1907 lindi Dhimitër Pasko, i njohur ndryshe si Mitrush Kuteli.
Kuteli ishte ekonomist, financier, shkrimtar, përkthyes, gazetar, mbledhës foklori e mbledhës i shpirtit shqiptar shpërndarë në shekuj e vise.
I përjetësuar me emrin e penës, Mitrush Kuteli njihet fare pak për veprimtarinë e tij në sektorin bankar ku shërbeu si konsulent teknik i Bankës Qendrore Shqiptare, që prej vitit 1943. Ndonëse ekonomist e financier shumë i zoti, njohjen në publik e fitoi falë penës së spikatur në disa hulli: gazetari, letërsi e përkthim.
“Mëmës Shqipëri” dhe “Skënderbeu” ishin vjershat e tij të para, ndërsa “Tregime të moçme shqiptare” është vepra e tij më e suksesshme që shpalosi vlerat e çmuara të gurrës popullore.
Po ashtu Kuteli ishte edhe mbledhës i folklorit shqiptar i shpërndarë në shekuj e vise.
I spikatur për pikëpamjet e tij demokratike, ai nuk mund t’i shpëtonte dorës së hekurt të diktaturës. Burgoset në vitin 1947 me akuzën armik i popullit me 5 vjet heqje lirie.
Kushtet në të cilat do të ndodhej pas lirimit nuk do t‘i jepnin atij mundësinë e botimeve, duke i mohuar kështu shprehjen e talentit të tij në letërsi.
Ndër veprat e tij më të spikatura janë: “Ago Jakupi e të tjera rrëfime”, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”, “Xinxifillua”, “Tregime të moçme shqiptare”, “E madhe është gjëma e mëkatit”, “Në një cep të Ilirisë së Poshtme”, “Baltë nga kjo tokë” etj. Gjithashtu, ka përkthyer në shqip vepra të Turgenjevit, Gorkit, Gogolit dhe Nerudës. Kuteli u nda nga jeta në moshën 60 vjeçare më 4 maj 1967.
Akademia e Shkencave i akordoi titullin e lartë “Nderi i Akademisë”, për trashëgiminë e pasur që i la qytetërimit shqiptar./atsh/KultPlus.com