27 Nëntor, 2024 - 1:33 pm
Në kuadrin e 80-vjetorit të çlirimit, Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot, në sheshin para sallës së seancave plenare veprimtarinë “Gratë e Luftës, roli i tyre në kontekstin historik”. Morën pjesë të rinj, historianë, familjarë të grave luftëtare si edhe u çel ekspozita me foto nga kontributi i grave e vajzave në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Veprimtaria u organizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, në emër të së cilës përshëndeti, drejtori i përgjithshëm, Ardit Bido.
Bido tha se DPA ka kënaqësinë të gjendet në të gjitha aktivetetet e të gjitha festave të nëntorit, të shqiptarisë dhe një prej nënshtresave të të gjitha këtyre aktiviteteve është gruaja.
“Lëvizja jonë kombëtare është habitshëm e lidhur me emancipimin e gruas që prej fillesave të veta”, tha Bido.
Me fillesat e lëvizjes kombëtare, ne shohim elementet e para të emancipimit. Nuk kemi vetëm De Radën e Naum Veqilharxhin, por edhe Elena Gjikën. Po ashtu edhe në Kongresin e Manastirit, nuk kishte vetëm burra pjesëmarrës, por edhe Parashqevi Qiriazi dhe Filomena Bonati. Edhe në Kuvendin e Vlorës, një rol të veçantë pati Marigo Posio.
Bido përmendi dhe aktivitetin e grave të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, të cilat nuk ishin siç u shpreh ai “gruaja e filanit” dhe nuk kishin nevojë të burrëzoheshin për të zhvilluar aktivitetin e tyre, madje nuk kishin as nevojën e viktimizimit apo nevojën e dallimit gjinor.
Më tej, kreu i arkivave përmendi se Parashqevi Qiriazi ishte njëra prej 30 botuesve të kohës, mori pjesë në Konferencën e Paqes të Parisit, njësoj si burrat dhe vetëm prej kujtimeve që ajo shkroi, vijnë deri në ditët tona të dhëna mbi atë çfarë u bë në këtë konferencë.
Gjithashtu Bido ngriti lart edhe figurën e Marigo Posios, që nuk është vetëm qëndistarja e flamurit kombëtar, siç njihet prej shumicës, por ishte botuese dhe drejtuese shoqatash të kohës në të cilën jetoi.
Ai theksoi faktin se emancipimi e roli i gruas, fatkeqësisht njihet nga studiuesit dhe jo nga publiku i gjerë, për shkak se nuk është divulguar aq sa duhet.
Përpara se të ftonte të pranishmit, për të parë ekspozitën, kreu i arkivave e mbylli fjalën e tij në këtë aktivitet duke cituar një prej grave intelektuale të viteve `30, Ikbale Çikën e cila ka thënë se, lumturia e shtëpisë, e kombit dhe e atdheut është në duart e grave intelektuale./atsh/KultPlus.com