12 Gusht, 2022 - 3:16 pm
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të rinjtë u takuan me krerë e përfaqësues të shtetit të cilët folën për hapat dhe angazhimin e tyre drejt funksionalizimit dhe përmirësimit të mirëqenies së të rinjve të Kosovës.
Grupi i deputetëve të rinj në krye me Agon Batusha, shpalosën idetë për përfshirjen e sa më shumë organizatave të shoqërisë civile nën ombrellën e tyre, pasi që sot dhanë edhe lajmin për të rinjtë që nga një grup jo formal i deputetëve të rinj ata janë pranuar si Grupi i Deputetëve të Rinj të Kosovës, të cilët njëherit kanë punuar në një plan të veprimit dhe funksionimit të tyre në shoqëri e që pretendojnë të shtrihen edhe nëpër komunat e Republikës së Kosovës.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, ministri i administrimit të pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministrja Daulina Osmani, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe të rinj e të reja nga e gjithë Kosova.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, e uruan Ditën Ndërkombëtare të Rinisë dhe theksuan angazhimin e lartë për të tashmen e të ardhmen e rinisë, ndërkaq zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, duke përmendur se talentët e rinj të sportit dhe artit e vendosën Kosovën në hartën e shteteve të suksesshme, ftoi të rinjtë të marrin pjesë në aktivitetet e muajit të rinisë duke nisur nga sot e deri më 31 gusht, ku me iniciativë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim partnerët vendorë e ndërkombëtarë kanë organizuar një mori aktivitetesh sportive, kulturore e rekreative nëpër Kosovë.
Gjatë kësaj ngjarjeje, u hap edhe panairi i iniciativave rinore të Republikës së Kosovës, ku shumë organizata rinore kishin përmbledhur aktivitetet e tyre dhe patën rastin ta prezantojnë para të gjithë të pranishëmve punën dhe angazhimin përgjatë këtyre viteve. /KultPlus.com