8 Shtator, 2020 - 7:25 pm
MASh, DKA-të dhe akterë të tjerë biseduan për fillimin e vitit shkollor 2020/2021, shkruan KultPlus.com
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka marrë pjesë sot në një takim virtual me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, udhëheqës të Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe të IKShPK-së, ku është diskutuar për përgatitjet përfundimtare që janë bërë nga ana e institucioneve të nivelit qendror dhe lokal për fillimin e vitit shkollor 2020/2021.
MASh ka propozuar që me datën 14 shtator të fillojnë mësimin klasat 0, 1, 2, 3, 6, 10 në të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës. Klasat 4 dhe 5 të fillojnë mësimin tërësisht në shkollë ose me mësim të kombinuar, varësisht nga kapaciteti i shkollës, vlerësuar nga DKA dhe institucionet arsimore. Ndërsa, në fazën e dytë, më 21 shtator, të fillojë mësimi me mësim të kombinuar për klasat 7, 8, 9, dhe 11, 12, duke vijuar mësimin dy ditë në shkollë dhe tri ditë online/në distancë.
Ministri Likaj, me këtë rast, kërkoi nga të gjithë akterët bashkëpunim të vazhdueshëm dhe mobilizim për t’iu përgjigjur çdo situate, bazuar në master planin e miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe dokumente të tjera për organizimin e mësimit në kushte pandemie. Ndërkaq, Inspektorati i Arsimit, së bashku me Inspektoratin Sanitar, janë vazhdimisht në terren duke bërë certifikimin e shkollave që kanë kushte për fillimin e vitit të ri shkollor në rrethana pandemie.
Vendimi për fillimin e vitit të ri shkollor do të merret në bashkëpunim të plotë me MSh-në dhe IKShPK-në, DKA-të, Këshillin e Prindërve dhe SBAShK-un, në bazë të vlerësimit të situatës epidemiologjike në Kosovë. Vlerësimi i situatës epidemiologjike do të bëhet në mënyrë të vazhdueshme dhe në këtë mënyrë do vlerësohen me kujdes rrethanat dhe mundësitë e vazhdimit të mësimit sipas skenarëve të paraparë.” / KultPlus.com