Kyreministri Kurti: 27 mars është data që tani shënon Nëna Ferdonije

27 Mars, 2025 - 12:15 pm


Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar Ferdonije Qerkezin, e cila me datë 27 mars të vitit 1999 ka parë për herë të fundit, pesë anëtarët e familjes, bijtë e saj të shtrenjtë: Artanin, Armendin, Ardianin e Edmondin dhe bashkëshortin e dashur Halimin. Ata u rrëmbyen me dhunë dhe u zhdukën nga forcat e armatosura të Serbisë.

”Shtëpia e familjes Qerkezi tani është muze. Datat që shënohen, janë ditët e kujtesës dhe dhembjes”, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

Në këtë datë, në veçanti, në mendje kemi Nënën Ferdonije.

Familja gjashtë anëtarëshe Qerkezi kishte traditë të bukur: çdo datë të veçantë e shënonte si festë. Kaq falënderues ishin për çdo bekim që jeta u kishte dhënë. Festohej çdo ditëlindje e festë tjetër në familjen e ngushtë, e që ishte mjaft e madhe.

Tash, Nëna Ferdonije e jeton pesëfish vetminë. Katër djemtë dhe burrin nuk i sheh. I mungojnë çdo ditë, mëngjes e mbrëmje. Nuk i ka.

Tash, ajo e ka një popull të tërë krah saj. Ne të gjithë e mendojmë, e kujtojmë dhe bashkëndjejmë me të gjithmonë, por sidomos më 27 mars. Kjo është data që tani shënon Nëna Ferdonije. Dita kur në vitin 1999 ajo pa për herë të fundit pesë anëtarët e familjes, bijtë e saj të shtrenjtë: Artanin, Armendin, Ardianin e Edmondin dhe bashkëshortin e dashur Halimin. Ata u rrëmbyen me dhunë dhe u zhdukën nga forcat e armatosura të Serbisë.

Shtëpia e familjes Qerkezi tani është muze. Datat që shënohen, janë ditët e kujtesës dhe dhembjes.

Nëna Ferdonije është simbol i qëndresës sonë kombëtare. Zemra e saj është dëshmia më e fortë e qëndresës njerëzore. Ajo vetë është ruajtësja e fuqishme e kujtesës për gjenocidin serb në Kosovë.

Dhembja e saj është detyrimi ynë, që kurrë të mos harrojmë!/ KultPlus.com

Të ngjajshme