La Liga shfaq flamurin e Kosovës në faqen zyrtare, Muriqi flet për kohën e luftës dhe fëmijërinë e tij (VIDEO)

19 Janar, 2023 - 2:00 pm

Vedat Muriqi, i cili në Spanjë njihet si “Pirati”, është një nga futbollistët më të mirë të RCD Mallorca, klubi që aktualisht është në vendin e 10-të në një nga ligat më të forta në botë, atë spanjolle, shkruan KultPlus.

Futbollisti nga Prizreni i Kosovës, është paraqitur së fundmi në një intervistë për “La Ligan”, duke përmendur kështu edhe kohën kur ai ishte një fëmijë dhe luftën që e preku vendin e tij, e gjithashtu bisedoi edhe për një prej vendimeve më të mira që ai ka marrë në karrierë.

“Prindërit më thanë se para luftës ishte mirë. Më kujtohet se çfarë ndodhi gjatë luftës, ishte një kohë e tmerrshme. Unë gjithmonë them që asnjë njeri nuk duhet ta përjetojë këtë gjë. Ne lamë shtëpitë tona për të shkuar në Shqipëri. Ne jetonim në një shtëpi me 50 persona të tjerë”, tregoi Muriqi për “La Liga”, pas intervistës ai pati në gazetën e famshme spanjolle, “Marca”.

Ai thotë se përvoja e fituar ndër vite, e ka ndihmuar atë që të arrijë këtu ku është tani.

“Të gjithë ne që kemi jetuar luftën i vlerësojmë gjërat shumë më tepër. Është kjo përvojë që më ka ndihmuar të arrij këtu. Gjtihmonë them se para se të mbërrija këtu kam pasur dyshime sepse më duhej të ndërroja shtet dhe më duhej të lija miqësitë e mia. Por tani mund të them se kam bërë zgjedhjen e duhur të jetës sime, sepse edhe familja ime dhe unë jemi të lumtur në Spanjë. Ata më bënë të ndihem i mirëpritur që në momentin e parë që mbërrita. Kjo më dha shumë besim”, ka thënë sulmuesi kryesor i kombëtares së Kosovës.

Në 15 ndeshje të zhvilluara këtë sezon në “La Liga”, Muriqi ka arritur që të realizojë tetë gola dhe të dhurojë edhe një asistim për gol te bashkëlojtarët e tij.

Fansat e Mallorcas kanë rënë në dashuri me mënyrën se si Muriqi i ka ndihmuar ata, fillimisht të mbijetojnë në Spanjë, dhe tani të ngjiten në vendin e 10-të. /KultPlus.com

Të ngjajshme