22 Dhjetor, 2023 - 10:00 pm
Shkrepja me film është një traditë e hershme e fotografëve të qytetit të Shkodrës, prej ku merr rrugëtimin e saj dhe fotografia e ditëve të sotme.
Muzeu “Marubi” ka zhvilluar masterclass-in e dytë “Laboratori i fotografisë” i udhëhequr nga artisti Ergys Vela, në kuadër të aktiteteve të programit “Shkrue me dritë”. Ky program ka për qëllim të afrojë të rinjtë me procesin analog të fotografimit.
Këtij masterclass-i të veçantë i bëri jehonë edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ndau në rrjetet sociale një album fotografish bardhë e zi, nga ky event.
“Jo vetëm mësimi i teknikave të hershme të fotografisë, por edhe një kujtim i bukur pragfestash”, shkroi ministrja Margariti.
Për të gjithë ata që do të dëshirojnë të kenë një foto çasti apo një shkrepje me film me atmosferën e festave të fundvitit, Ergys Vela do të qëndrojë përditë tek “shtëpiza e fotografisë”, një hapësirë e vënë në dispozicion nga Bashkia Shkodër, për t’i bërë edhe më të këndshme festat e fundvitit./KultPlus.com