13 Janar, 2020 - 9:14 am
Lagjja buzë Liqenit Akumulues të Badovcit duhet të pengohet me çdo mjet nga qytetarët.
Pas luftës mafia ndërtimore zaptonte, populli heshtte. Frika ishte e madhe, sepse mafia ndërtimore ishte e armatosur dhe e përkrahur nga edhe komandantët e UÇK-së të etur për pasurim të shpejtë dhe grabitje të madhe. Pas luftës mafia ndërtimore mund të vriste edhe njerëz. Gjatë përpjekjeve të tij për të vendosur disa rregulla elementare urbane, në Prishtinë u vra Rexhep Luci, arkitekt dhe Drejtor i Departamentit të Planifikimit Hapësinor, Rindërtimit dhe Zhvillimit në Komunën e Prishtinës.
Gati njëzet vjet kanë kaluar nga ky krim. Vrasësit jetojnë të lirë. Por shoqëria e Kosovës nuk është më ajo e vitit 2000 apo 2001. Njerëzit tani kanë guxim të kundërshtojnë projekte ndërtimore të pamenduara mirë. Projekte që potencialisht rrezikojnë ambientin. Projekte që u vjen duhmë e keqpërdorimeve.
Këto ditë dhjetëra qytetarë janë mobilizuar në kundërshtimin e një projekti që është planifikuar nga një firmë e quajtur «4M Group» me financues ndërmarrjen ndërtimore «Kawa Group». Projekti planifikohet të realizohet buzë Liqenit të Badovcit. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e drejtuar nga një argat i Behgjet Pacollit, ka dhënë një pëlqim në të cilin thuhet se mund të ndërtohet në zonën përkatëse te Liqeni i Badovcit.
Këtu fillon krimi. Po të kishte sistem efektiv të drejtësisë, ministri që lëshon këso letrash së paku do të hetohej. Të pajisur me këtë letër të ministrit, investitorët dhe projektuesi mund të shkojnë te komuna e Prishtinës dhe të kërkojnë leje për ndërtim. Në dy dekadat e fundit shpeshherë administrata e kësaj komune ka lëshuar leje të dyshimta ndërtimi dhe nga ky «biznes» kanë përfituar pothuaj të gjitha partitë, «luftarake» dhe «paqësore».
Tani për tani situata është kështu: Plani Rregullues Urban, i cili e ka fuqinë e ligjit, thotë se zona në lindje të Prishtinës, aty ku «4M Group» dhe «Kawa Group» duan të ndërtojnë, nuk është tokë ndërtimore. Për aq kohë sa ligji nuk ndryshon, në këtë zonë është e ndaluar të ndërtohet. Ka disa arsye përse nuk duhet të ndërtohet aty. Krejt Kosova, e sidomos Prishtina ka nevojë urgjente për ruajtjen e burimeve të ujit dhe vendeve ku akumulohet uji. Liqeni i Badovcit nuk është liqen i natyrshëm, por liqen akumulues i ujit, pra rezervuar uji!
Në një reagim të tij aspak bindës arkitekti Përparim Rama, shef i «4M Group», thotë se edhe pranë Liqenit të Zürichut dhe Gjenevës ka shtëpi të ndërtuara. Këtu ai e huq komplet kontekstin dhe kjo është shqetësuese për dikë që nëpër mediat jokritike kosovare e prezanton veten poshtë e lartë si «arkitekt të suksesshëm nga Londra». Liqenet e Zürichut dhe Gjenevës (ka edhe shembuj të tjerë) janë liqene si pjesë e qyteteve e vendbanimeve, nuk janë pellgje për akumulim uji. Badovci, ndërkaq, është pellg për akumulim uji, andaj është me rëndësi jetike për banorët e Prishtinës dhe rrethinës. Pothuaj po aq i rëndësishëm për banorët e Prishtinës është gjelbërimi përreth Liqenit të Badovcit. Nuk është se Prishtina mund të krenohet aq me hapësira gjelbëruese.
Përkundër propagandës e reklamave të bujshme, «4M Group» nuk shquhet si studio që ka realizuar ndonjë projekt të madh. Projekti i «40-katëshit» në Prishtinë, ku ka qenë i përzier edhe pronari i «4M Group», praktikisht ka dështuar dhe është modifikuar e shndërruar në një grumbull ndërtesash pa koncept dhe si i tillë nuk harmonizon me hapësirën urbane.
Pronarët e firmave ndërtimore dhe politikanët lokalë në Kosovë shpeshherë përpiqen t’i shesin opinionit projekte të caktuara (jo vetëm arkitektonike) me argumentin se filani «është nga Londra», «nga Zvicra», «nga Gjermania». Lavdërimet e tilla mund të kenë shpesh bazë profesionale, por nganjëherë janë vetëm tullumbace – si ato me «spitali grek», «spitali gjerman», «klinika zvicerane» e kështu me radhë.
Para disa vitesh një arkitekt kosovar me banim në Zvicër me rrahje gjoksi po më tregonte se është angazhuar nga komuna e Prishtinës për të kryer punë të mëdha. Njëherë më ftoi në një panair të ndërtimit dhe arkitekturës në Zürich, ku edhe ashtu e kisha ndërmend të shkoja. Arkitekti tha: «Do të jenë aty edhe nënkryetari i Prishtinës dhe shefi i urbanizmit». Kur shkova në panairin në fjalë, arkitekti ynë i famshëm kishte humbur pa gjurmë. Nuk u lajmërua as në telefon. Projektet e tij të mëdha kanë mbetur sot e atë ditë – fjalë goje.
Larg asaj që edhe shefi i «4M Group» të jetë i tillë, por fakt është që deri më tani nuk është shquar për ndonjë projekt të madh e serioz arkitektonik. Fokusi i tij është enterieri. Dhe kjo është krejt në rregull për të dhe biznesin e tij. Por Liqenin e Badovcit le ta lë të qetë, sepse projekti i tij është i pamenduar dhe e dëmton jo vetëm natyrën. Rezistenca qytetare kundër këtij projekti duhet të vazhdojë. Po ashtu sa edhe kritikat kundër ministrit skandaloz të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Gjithsesi, në këtë betejë duhet të kyçet edhe drejtësia e Kosovës. Nuk jemi më në vitin 2000. /KultPlus.com