23 Shkurt, 2023 - 1:12 pm
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot 23 shkurtin e vitit 1848, kohë kjo kur doli numri i parë i gazetës “L’albanese d’ Italia” (Shqiptari i Italisë).
Kjo gazetë mbrojti të drejtat e shqiptarëve, duke radhitur fakte e argumente të historisë së Shqipërisë, me qëllim që të njihej edhe opinioni në Itali e më gjerë.
Në krye të saj qëndronte figura e Jeronim De Radës, rilindës i shquar i kohës. Shtypi i kohës na tregon, që ka dhënë ndihmesën e tij në fushën shoqërore, kulturore dhe politike gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare.
Shtypi arbëresh lindi si nevojë e domosdoshmëri për vetë ekzistencën kombëtare dhe shoqërore të dhjetëra e mijëra pasardhësve të breznive që emigruan nga viset e ndryshme shqiptare, duke u ngulitur në trevat italiane, në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XV, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut./ atsh / KultPlus.com