26 Korrik, 2023 - 10:31 pm
Shqipëria po zë vend përherë e më tepër në median ndërkombëtare sa i takon bukurive të saj natyrore, mikpritjes dhe potencialit të pazbuluar që ofron për pushime për turistët e huaj.
Kryeministri Edi Rama përcolli pasditen e sotme artikullin e francezes “L’Alsace”, e cila u paraqet lexuesve të vet bukuritë e natyrës, traditave dhe trashëgimisë sonë.
“Shqipëria, aty ku ndjenja e mirëseardhjes ndriçon buzëqeshjen. Francezja “L’Alsace” zbulon për lexuesit Shqipërinë turistike ku pranë e pranë qëndrojnë malet e deti, thesaret historike, arkitektura e fshatrave si Thethi dhe pazaret piktoreske si ai i Gjirokastrës, por edhe shumë destinacione të tjera që dita-ditës joshin vizitorë nga e gjithë bota për të njohur “perlën e panjohur të Ballkanit””, shkruan Rama në rrjetet sociale, ku sjell edhe linkun e botimit.
Shqipëria ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh të huaj gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, me një rritje prej 33 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Vendi ynë ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës./atsh/KultPlus.com