Lansohet Koalicioni i Kosovës për Pajtim

11 Korrik, 2019 - 12:22 pm

Bujar Meholli

Në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, Qendra për Art dhe Komunitete – “Artpolis” lansoi Koalicionin e Kosovës për Pajtim që ishte aktiviteti i radhës i kësaj qendre.

Në fjalën hyrëse Stergios Tragoudas nga Zyra e Bashkimit Evropian, përgëzoi lansimin e këtij Koalicioni ndërsa u shpreh i lumtur për bashkëpunimin.

Në Panelin e parë që u paraqit para audiencës ishte Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i FDH Kosovë, Miodrag Milicevic, drejtor ekzekutiv i OJQ-së “Aktiv”, Zana Hoxha-Krasniqi, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e “Artpolisit” dhe Stergios Tragoudas nga Zyra e Bashkimit Evropian.

Në audiencë kishte edhe përfaqësues të ambasadave, të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, të shoqërive civile, artistë, e gazetarë.

Drejtori ekzekutiv i FDH Bekim Blakaj, në fjalën e tij bëri një rikapitulim të punës dhe arritjes deri te ky projekt.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që më në fund po e lansojmë Koalicionin Kosovar për Pajtim” u shpreh fillimisht ai.

“Organizatat që janë pjesë e Koalicionit, secila në fushëveprimin e vet kanë kontribuuar në promovimin e të drejtave të njeriut, të drejtat e viktimave, kanë kontribuar në promovimin e artit dhe çështjeve gjinore në Kosovë.

Ne qysh më herët kemi bashkëpunuar në projekte të ndryshme. Më shumë se një vit ka që jemi ulur dhe kemi folur seriozisht se si t’i fuqizojmë aktivitetet tona dhe të kemi impakt më të madh në shoqërinë kosovare edhe ndaj institucioneve”.

Blakaj më tej shpalosi punën e Fondit për të drejtën humanitare dhe fokusin e tij.

“Fondi për të drejtën humanitare, është i fokusuar në drejtësi tranzicionale dhe të gjitha projektet që i zbaton janë në Bujqësinë tranzicionale. Fokusi ynë ka qenë preciz. Ne bëjmë dokumentimin e humbjeve në njerëz gjatë periudhës së Luftës dhe pas Luftës në Kosovë.

Në të njëjtën kohë bëjmë monitorimin e gjykimeve për krime lufte dhe raportojmë për këto gjykime sepse shoqëria duhet të dijë më shumë për këto procese.

Pastaj, një kohë të gjatë jemi pjesë aktive e një Koalicioni tjetër që avokon për krijimin e një komisioni të së vërtetës të quajtur “Komra”, komisioni rajonal për përcaktimin e fakteve për krimet në të gjitha luftërat e ish-Jugosllavisë”, tha mes tjerash ai.

“Qysh nga viti 2011 e kemi shtri fokusin tonë edhe në edukimin e të rinjve, mbi të kaluarën, duke organizuar punëtori dhe ligjërata nëpër shkollat e mesme dhe Universitetet kosovare”. Blakaj tregoi edhe për bashkëpunimin me DokuFestin për mbajtjen e shkollës verore.

“Ne organizojmë shkollë verore në bashkëpunim me DokuFestin, vijuesit e saj janë nga Kosova, nga të gjitha etnitë; krejt vonë kemi filluar që të veprojmë edhe në fushën e memorioalizmmimt të së kaluarës, kemi themeluar Qendrën e Dokumentimit në Kosovë, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, dhe kemi hapur një ekspozitë në maj të këtij viti, e cila i dedikohet kategorisë më fragjile të Luftës në Kosovë, fëmijëve. Këtë ekspozitë ua kemi dedikuar atyre.

Këto aktivitete që përmenda, shumica prej tyre do të zbatohen edhe në kuadër të këtij projekti, të Koalicionit kosovar për Pajtim” përfundoi Blakaj, derisa Miodrag Milicevic tha se ndjehet mirë që pati rastin të bashkëpunojë në këtë projekt që ai e sheh si të madh.

Themeluesja dhe drejtoresha ekzekutive e “Artpolisit” Zana Hoxha-Krasniqi tha se ndjehet e lumtur që si themeluese e kësaj organizate, ka parë diversitetin kulturor dhe ndërtimin e paqes përmes aktivizimit të grave dhe të rinjve. Ajo tha se paqja e qëndrueshme arrihet vetëm duke përfshirë gratë dhe fëmijët.

“Ky projekt, i cili për neve nuk është vetëm projekt por një mision dhe punë që e kemi në kuadër të strategjive tona në të mirë të komuniteteve që jetojnë në Kosovë, për ta bërë një Kosovë më të mirë dhe jo të ndarë mes komuniteteve por një Kosovë që ofron gëzimin e të gjitha të drejtave për gratë, burrat e të rinjtë që jetojnë në të”.

Si “Artpolis” tashmë njihemi për disa projekte për adresimin e çështjeve gjinore, përmes artit dhe gjatë këtyre viteve ne do të organizojmë disa iniciativa që angazhojnë gratë dhe vajzat e reja, një prej tyre është Shkolla e Feminizmit ku përfshihen vajzat nga Kosova dhe Serbia, të cilat angazhohen për ndërtimin e paqes në vend.

Ne kemi organizuar edhe festivalin “Femart”, që është më i madhi në rajon, e tashmë është bërë njëri nga festivalet më të rëndësishme, duke bashkuar artistet dhe aktivistet nga e gjithë bota” tha Hoxha-Krasniqi në fjalën e saj.

Paneli i dytë ishte i fokusuar në procesin e pajtimit në Kosovë, si dhe në sfidat dhe mundësitë nga perspektiva e mediave dhe artit.

Panelistët e dytë, ishin: Adriatik Kelmendi, Alban Muja, Besa Luci, Darko Dimitrijevic dhe Edis Galushi.

Gazetari Adriatik Kelmendi në prezantimin e tij tha se ka pranuar të jetë avokues publik i Koalicionit “Komra” dhe ideja që një gazetar ta marr këtë rol është pikërisht në shfrytëzimin e hapësirës dhe ndikimit për ndërgjegjësimin e opinionit publik.

“Krimi duhet të adresohet. Nëse një krim është kryer nga njëra palë, dhjetë nga pala tjetër, edhe ai një edhe ata dhjetë duhet të evidentohen, nëse krimi është kryer pra ndaj atyre që parashihen edhe me Konventat Ndërkombëtare, natyrisht, ato të trajtohen edhe nga gjykata” tha Kelmendi, në hapje të panelit të dytë.

Qëllimi i këtij projekti është trajtimi dhe kontribuimi në përmirësimin e marrëdhënieve në Kosovë, duke ngritur mirëkuptimin dhe pjesëmarrjen e nismave në bazë të komunitetit që mëtojnë nxitjen e procesit të pajtimit në Kosovë. /KultPlus.com

Të ngjajshme