3 Qershor, 2021 - 3:10 pm
Ka nisur rrugëtimin “Triptoalbania.al“, platforma e vetme online në trevat Shqiptare, e cila do të jetë udhërrëfyesi dhe pika juaj e refermit mbi çdo informacion turistik në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në të gjitha trevat shqipëfolëse.
Në prezantimin e kësaj platforme, morën pjesë akterë të rëndësishëm të këtij sektori, ndër to edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, Ambasadori në detyrë i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani si dhe operatorë të suksesshëm turistik.
Në fjalën e tij Ministri Klosi, shprehu vlerësim të lartë për krijimin e kësaj platforme, duke bërë thirrje që të pushojmë shqip, për të shfrytëzuar të gjithë potencialin turistik që kemi në trojet shqiptare.
“Duhet të shoqërohemi që të vizitojmë detin, por duhet të vizitojmë edhe bukuritë e bjeshkëve. Të vizitojmë bukuritë e Durresit e të Vlorës, por operatorët turistikë duhet të shikojnë edhe Prizrenin dhe Prishtinën si një opsion, sepse lidhja është më e thjeshtë. Mundësitë i kemi shumë më të kollajshme dhe mundësitë i kemi shumë më të mëdha qe të bëjmë një turizëm mbarë shqiptar”.
Ndër të tjera, Klosi tha se pasuria turistike shqiptare duhet të vitalizohet.
“Kjo është pasuri e madhe kombëtare. Kemi turizëm në të dy anët e bjeshkëve dhe kjo besoj është në përgjegjesinë tonë, administratorëve publik të flasim dhe të promovojmë turizmin shqiptar“.
Gjithashtu ministri Klosi ka thënë se kemi pasur nevojë për produkte si projekti i “Triptoalbania.al”.
Sipas tij, projekte si ky nxitin qytetarët të pushojnë shqip, të pushojnë në Prishtinë, Durres, Vlorë, Prizren, Pejë etj, kudo ku kanë mundësi të kontribuojnë, pasi ata janë vërtet heronj të kësaj beteje ekonomike, ka thënë ai.
Nga ana tjetër Qemal Minxhozi, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, shprehu mirënjohje për krijuesin e kësaj platforme.
“Unë kam shumë bindje se në ballë të turizmit të Shqipërisë do të qëndrojë Kosova. Uroj që në Shqipëri të bëhet edhe më tepër një jehonë sa më e madhe edhe për turzmin malor të Kosovës jashtë mase i lakueshëm”.
Nait Hasani, Ambasador në detyrë i Kosovës në Shqipëri ka përgëzuar për platformën “Triptoalbania.al”, duke shpresuar që turizmi në të dy vendet shqipëfolëse të rritet, pasi të dy vendet i kanë potencialet e veta turistike.
“Kosova e ka malin, Shqipëria e ka detin, prandaj që të dy vendet ofrojnë shumë për vizitorët dhe pushuesit në çfarë do stine të vitit“.
Ndërsa Azem Bujupi, Drejtori Ekzekutiv dhe ideator i “Triptoalbania.al”, ka treguar rreth idesë së tij për krijimin e platformës.
“Arsyeja e krijimit të kësaj platforme është shumë e thjeshtë. Fillimisht ne duhet të prezantojmë veten se kush jemi ne, për ata që duan të na vizitojnë. Duhet të prezantojmë tokën, traditën, mikpritjen, veshjen dhe gjithçka tjetër që neve na bën të jemi ata që jemi krenarë. Pjesa e parë e kësaj është “Know me” të njihemi dhe pjesa tjetër “Taste me” më provo, më testo. Është komplet prezantimi i vijës bregdetare malore, Mal i Zi, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Kosovë.
Bujupi më tej ka treguar se “Triptoalbania.al“, ka arritur në regjistrimin e materialeve mbi 4 mijë orë në Shqipëri, kurse në Kosovë 2mijë orë sa i përket prezantimit të turizmit bregdetar dhe atij malor.
Sipas statistikave gjatë hulumtimit Bujupi u shpreh se hyrjet e turizmit malor në vijën e Austrisë dhe Zvicrës, janë më shumë se vija bregdetare dhe se shtetet për rreth.
“Në infrastrukturën e Kosovës, duhet të ndërhyet në një zonë të tillë dhe një ofertë të tillë siç e ka Kosova është e papërjashtueshme që të shijohet nga çdo kush, si i Republikës së Shqipërisë dhe të tjerëve që dëshirojnë ta vizitojnë Kosovën“.
Në përfundim u bë edhe prezantimi komplet i platformës, se ku mund ta gjeni dhe si të njiheni me vendet më atraktive të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të zi, duke u njohur me historinë e tyre, traditat, zakonet, gastronominë etj. / KultPlus.com