2 Tetor, 2021 - 10:28 am
Dje, në ambientet e ICK-së u promovua platforma digjitale ”Rritu e Mëso” e cila ka për qëllim edukimin dhe argëtimin e fëmijëve. Kjo platformë, e ideuar nga Artan Korenica, pas një punë pothuajse një vjeçare, më në fund do të jetë e hapur për të gjithë fëmijët, ku do të rriten duke mësuar përmes lojës, shkruan KultPlus.
Ishte aktori Edi Kastrati ai i cili edhe e hapi eventin e djeshëm, ku u diskutua për punën drejt realizimin e këtij projekti, e veçanërisht për të mirat që kjo platformë do të ketë tek fëmijët shqipfolës.
Kastrati fillimisht falenderoi të pranishmit, ku potencoi se përveç gjithë profesionalizmit që profesionalistët e fushave të ndryshme kishin sjellur në këtë projekt, sipas tij, ata sollën edhe shumë dashuri, përkushtim e përgjegjësi në secilën punë që u i ishte besuar atyre. ”Nevoja që fëmijët tanë të argëtohen dhe të mësojnë gjuhën shqipe, nga kjo nevojë e madhee nisi ky projekt i madh dhe gjithçka filloi me dromca idesh, por që ideatori kryesor ishte Artan Korenica. Me përulje ju falenderoj gjithë ju që jeni të pranishëm në emrin e gjithë ekipës, për gatishmërinë për të na mbështetur”, u shpreh tutje Kastrati.
I pranishëm ishte edhe Uranik Bega, drejtori ekzekutiv i ICK-së, qendër kjo që kishte mbështetur këtë projekt që nga fillimi. Bega theksoi para ta pranishmëve se misioni i ”Rritu e Mëso” është shumë fisnik, pasi sipas tij kjo platformë ka kontribuar në një pjesë të shoqërisë e cila shpeshë herë me ose pa qëllim, po lihet anash.
”Në momentin që kemi diskutuar për realizimin e kësaj platforme, i kemi ofruar mbështetjen tonë si komunitet që në një far forme me mundësitë dhe hapësirën tonë me ofru një mbështetje e cila sado pak do të ndihmonte këtë platformë të zhvillohej. Gjithsesi nga përvoja jonë, e kemi parë që jo idetë më të mira gjithmonë janë ato që kanë sukses, çdo ideje të mirë në fakt i duhet edhe një ekip që punon me përkushtim e cila përtej çdo barriere e sheh mundësinë për me ecë tutje dhe nuk ndalet”, u shpreh Bega duke theksuar po ashtu se ishte pikërisht Artan Korenica dhe i gjithë ekipi që punuan shumë në këtë projekt dhe arritën ta realizonin edhe në kushtet e vështira që erdhën si pasojë e pandemisë globale.
Aty ishte edhe këngëtari nga Shqipëria, Alban Skënderaj i cili është edhe zëri që qëndron pas lojërave të këtij aplikacioni për fëmijë. Ai theksoi para të pranishmëve se ishte shumë i lumtur që ndodhej e njëherit edhe shumë mirënjohus që pati rastin të punonte në një projekt kaq të madh.
”Për mua është diçka e re të bëhem pjesë e një projekti të tillë, por ky është një projekt aq motivues, i pastër e gjenial, duke marrë parasysh faktin se në Shqipëri e Kosovë nuk ka ndonjë platformë të tillë, saqë pa hapur e mbyllë sytë edhe unë pranova të jem pjesë e këtij projekti”, pohoi Skënderaj.
Tutje, këngëtari Skënderaj deklaroi se ajo që e bën edhe më të lidhur me këtë projekt është fakti se edhe ai është baba i dy fëmijëve dhe se e kupton sa e vështirë është që në kohët e sotme të rrisësh fëmijë me vlerat evropiane duke mos harruar gjuhën dhe traditën e pasur shqiptare. ”Fëmijët tanë po flasin më shumë anglisht sesa shqip, prandaj shpresoj shumë që kjo platformë të jetë një fillim për t’i dhënë një dorë fëmijëve tanë”, përfundoi Skënderaj.
E në fund, fjalën e mori Korenica, ai i cili edhe i kishte mbledhur të gjithë për të shpalosur punën e tij dhe ekipës së tij, e që duke u treguar shumë modest nuk foli aspak për punën e tij, përveç se falenderoi të gjithë ata që kishin punuar në krijimin e kësaj platforme që u dedikohet fëmijëve.
Marrë parasysh digjitalizimin e aktiviteteve në këto kohë dhe qasjen e fëmijëve në teknologji, ”Rritu e Mëso” ofron përmbajtje përpos të sigurt, njëkohësisht edhe edukativo-argëtuese. Pra, të rritemi duke mësuar nëpërmjet lojës.
Aplikacioni ”Rritu e Mëso” është krijuar nga artisti Artan Korenica në bashkëpunim me krijues të fushave të ndryshme në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut. Pjesë e ekipës kreative të aplikacionit janë Alban Skenderaj, Miriam Cani, Klea Huta, Elgit Doda e shumë profesionistë të tjerë.
”Rritu e Mëso” është ideuar e realizuar për fëmijë nga mosha zero, ashtu që të argëtohen duke mësuar shqip. Aplikacioni përbëhet nga gjithsej tetë njësi: gjuha, matematika, vizatimi, përrallat, loja e kujtesës, puzzle, si dhe gjëgjëzat. / KultPlus.com