Latif Mustafa: Shqipëria dhe Kosova bashkohen në zemrën e shqiptarit të Maqedonisë

9 Korrik, 2020 - 8:00 pm

Qendrim Badalli

Latif Mustafa deri më tani ka qenë kryeredaktor i revistës Shenja. Ai, po ashtu, është autor i emisionit me tematikë sociale dhe kulturore n’Pikë e që është një lloj vazhdimësie e emisionit filozofik PikëPamje. Ai është i shquar në fushën e analizave politike me ç’rast pikëpamjet e tij i shpreh përmes shkrimeve të botuara në revistën Shenja dhe editorialeve mujore të cilat i ka botuar po në këtë revistë.

Latif Mustafa, ka diplomuar në degën filozofisë në Universitetin e Prishtinës – UP dhe për një kohë ka punuar si asistent i filozofisë në institutin e Aleancës së Qytetërimeve në Stamboll. Ai është doktorant i shkencave politike në Institutin për studime Politike, Sociologjike dhe Juridike pranë Universitetit Kiril. Opusi i tij studimor bazohet raportet në mes edukimit shkollor dhe identitetit politik. Ka lindur në Preshevë, punon dhe jeton në Shkup.

Në këtë intervistë për KultPlus, Latif Mustafa ka folur për pozitën e shqiptarëve të Maqedonisë Veriore në rrafshin socio-kulturor. Ai flet për aktivitetet kulturore, për integrimin e shqiptarëve, për krizën identitare, për të arriturat dhe sfidat që kanë përpara.

KultPlus: Z. Mustafa, ka një kohë relativisht të gjatë të qëndrimit tuaj në Maqedoninë Veriore, të punës suaj si gazetar atje, dhe sigurisht gjithë kjo periudhë ju ka ndihmuar juve që të keni një tablo mbi gjendjen shoqëror përgjithësisht si dhe pozitën e shqiptarëve specifikisht, kush është ‘Shqiptari i Maqedonisë’ nën dioptrinë tuaj?

L. Mustafa: Është pyetje e vështirë. Mbase, më mirë të themi, është mjaft e komplikuar. Në media, ka një projeksion jo të sakte, shpesh edhe tendencioz me përmasa orientaliste për shqiptarin e Maqedonisë, duke krijuar përshtypjen se ai është më fetar se shqiptarët e trojeve të tjera, rrjedhimisht edhe më i prapambetur. Por kjo nuk është çështja. Megjithatë, pyetja mbi identitetin shqiptar në Maqedoni ngërthen një proces të gërshetuar dhe ligjërim kompleks mbi identitetet moderne të kombeve dhe tentakulave të tyre që paraqiten herë si komunitete përbërëse e herë si pakica kombëtare në shtetet përreth. Por, një trajektore konstante e cila paraqitet në ndërtimin identitar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, është përplasja pa bedene midis tendencës së vazhdueshme të shtetit si projeksion i trashëguar kolonialist për të projektuar një komb politik maqedonas dhe rezistencës së shqiptarëve për t’iu kundërvënë këtij projeksioni përmes identitetit të kombit etnik shtyllë e cilit është gjuha dhe një formë e nacionalizmit kolonialist e cila në saje të çfarëdo matrice është përpjekë ta ruaj këtë gjuhë, kuintesencë apo shkëmbi i “Pjetrit” mbi të cilin do të ndërtohej ngrehina e një pjese të mbetur të kombit në këto troje. Kjo ishte trajektorja kryesore. Por, përbri trajektores kryesore e cila është një vazhdimësi e mbi ndërtuar historike në kohë dhe etapa të ndryshme politike, përfshihen edhe nuancat periferike të këtij identiteti që zakonisht burojnë nga traditat lokale, trauma e migrimit në qendra urbane, kultura suburbane dhe nuancat më të fuqishme që vijnë nga marrëdhëniet reciproke me etnitë e tjera në vend. Për më tepër se kaq në Maqedoninë e Veriut, të paktën sipas gjykimit tim, arrinë lehtësisht t’i dallosh tri subidentitete të cilat janë produkt i rrethanave lokale. Identiteti i shqiptarëve të Shkupit dhe Kumanovës, dallon prej atyre të Tetovës dhe Gostivarit siç dallojnë këta të fundit nga shqiptarët e Dibrës, Strugës dhe Kërçovës. Folur prej një perspektive më të gjerë lirisht mund të them se identiteti i shqiptarit të Maqedonisë është rezistenca dhe përpjekja e shqiptarit idealist për t’u çliruar nga tutela politike e strukturës shtetërore e cila ka krijuar stereotipin e tij për dekada të tëra.

KultPlus: Të flasësh për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore është e pashmangshme që të mos fillojmë nga një shqyrtim i “Marrëveshjes së Ohrit”. Cili është vlerësimi juaj për atë marrëveshje të arritur brenda atij konteksti historik si dhe për implementimin e saj në terren?

L.Mustafa: Marrëveshja e Ohrit, arritja e saj në vitin 2001 ka shënuar përfundimin e konfliktit të armatosur midis Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave të sigurisë së vendit. Procesi i integrimit të saj të përshkallëzuar brenda kushtetutës së vendit ndër vite ka qenë dhe mbetet një sfidë e madhe, ashtu siç mbetet një sfidë akoma më e rëndë implementimi i saj. Realizimi i marrëveshjes së Ohrit dhe mbikëqyrja e implementimit të saj ka qenë pjesë e “sekretariatit për realizimin e marrëveshjes së Ohrit” e cila në vitin e kaluar, më 2019 u shkri në ministrinë për “sistem politik dhe marrëdhënie në mes bashkësive”. Sekretariati është udhëhequr nga partia shqiptare në pushtet për 18 vite dhe bazuar edhe në deklaratat e disa eksponentëve të kësaj partie, gjegjësisht BDI-së, kjo marrëveshje e cila është dashur të realizohet brenda katër viteve që nga dita kur ka hyrë në fuqi, ajo mbetet akoma pezull dhe pa një raport publik të qartë se sa është realizuar nga kjo marrëveshje dhe çfarë ka mbetur peng. Partitë opozitare në vitin 2015 e shpallën të vdekur këtë marrëveshje duke kërkuar një marrëveshje të re për Maqedoninë, e cila si pikë të parë përfshinte ndryshimin e emrit të shtetit, emër ky i cili nuk do të duhej të lidhej me emrin e ndonjë etnie, dhe riformatimin në lidhje me përfaqësimin etnik në tri pushtetet, administrativ, legjislativ dhe ekzekutiv. Mos realizimi i plotë i kësaj marrëveshje është rezultat i inferioriteti të shqiptarëve, jo kredibiletit politik i cili iu është regjur ndër vite partisë në pushtet, nga krimi dhe korrupsioni, dhe mos vullnetit politik të maqedonasve. Nga kjo pikë e sotshme, Marrëveshja e Ohrit, mbetet marrëveshja, ashtu siç parashihet edhe në nenën e dytë të kësaj marrëveshjeje, e cila do të garanton karakterin unitar të shtetit dhe zgjidhjen e problemeve etnike pa ndërlidhje territoriale. Me një fjalë, kjo marrëveshje, ruajti tërësinë territoriale të Maqedonisë dhe i dha rrugë paqes gjegjësisht dialogut politik për avancimin e pozitës së komuniteteve të tjera jo-maqedonase në shtet dhe avancimin e shtetit drejt strukturave të NATO-s dhe BE-së. Vetëm tani pas 18 viteve, pas ndryshimit të emrin, shteti ia ka rritur të bëhet pjesë e NATO-s, kurse është hapur rruga për anëtarësim në BE.

Kultplus: Çfarë mund të na thoni për integrimin shoqëror atje, kemi barikadim të plotë etnik shqiptar, apo mund të flasim edhe për raporte ndëretnike në rrafshin social dhe kulturor, pra po flasim për krijim shoqërish, martesa, raporte të përbashkëta biznesore etj.

L.Mustafa: Maqedonia e Veriut është shtet shumë etnik me larmi të ndryshme kulturore. Shumëllojshmëria është mundësi e shkëlqyeshme konkurrimi dhe promovimi vlera të ndryshme kulturore. Në rrethana të caktuara historike dhe koniunktura të caktuara politike ka mundur të dominojë frymë përjashtuese, por në përgjithësi, në Maqedoninë e Veriut, në nivel të shoqërisë civile ka një harmoni dhe ndërveprim vlerash kulturore. Marrëdhënie të shtendosura dhe më të këndshme ndëretnike theksohen gjatë periudhës së udhëheqjes së Lidhjes Social Demokrate të ish kryeministrit Zoran Zaev. Shqiptarët janë relativisht mirë të integruar në jetën shoqërore. Ç’është interesante, rinia duke qenë të ndikuar nga mediet e Tiranës dhe Prishtinës, duke qenë të lidhur shpirtnisht me pjesë të tjera të kombit shqiptarë, po promovojnë modele krejt të reja të jetës rinore duke ndërtuar një tipologji krejt ndryshe, më globale dhe më moderne të shqiptarit në këto vise. Në këtë trend ka ndikuar edhe numri relativisht i mirë i studentëve Kosovar të cilët studiojnë në Universitetin e Europës Juglindore – UEJL, në Universitetin e Tetovës si dhe në Kirili dhe Metodi në Shkup. Martesat e përziera sado që janë të rralla ato megjithatë ekzistojnë. Por vështirë është të përcaktohet një shkallë e shtrirjes së këtyre martesave. Në kuadër të emisionit tim të PikëPamjes, një emision filozofik që e zhvilloja, pata mundësinë të njoftohem me shumë profesor të shkencave sociale të komunitetit Maqedonas. Edhe pse profesor të nivelit, por bashkëpunimi me shqiptarët nuk shihej se ishte në nivel të dëshirueshëm. Kjo për arsye të ndryshme, pak nga hezitimi i shqiptarëve e pakëz nga indiferenca dhe bindjet tepër individalistike të shumë profesorë Maqedonas. Por me aq sa kam mundur të bisedoj tek të gjithë është vërejtur një interesim për ët bashkëpunuar me Prishtinën e Tiranën. Madje me njërin prej këtyre profesorëve, gjegjësisht me profesorin e filozofisë Risto Sollunçev, kemi ligjëruar së bashku në American University of Kosovo – AUK, rreth një teme shumë të ndjeshme “Tjetri në Ballkan”, me ç ‘rast profesori në fjalë ka mbetur i mahnitur nga mikpritja kosovare, përgatitja e studentëve kosovar, përparimin e Kosovës dhe gatishmërinë e shqiptarëve atje për të bashkëpunuar. Përtej politikës dhe nomenklaturës shtetërore e që në thelbin e tij çdo shtet mund të jetë shtypës represiv për ndonjë komunitet të caktuar, raportet kulturore janë në nivel.

KultPlus: Ju jeni shqiptar nga Presheva që jetoni dhe veproni në Maqedoninë Veriore, sa janë të hapur shqiptarët autokton atje për shqiptarët nga jashtë, keni pasur ndonjë vështirësi për adaptim, na tregoni ndonjë situatë konkrete nëse keni pasur ndonjë përvojë në fillimet tuaja?

L.Mustafa: Po unë jam Preshevar dhe jetoj në Shkup. Por ç’është e vërteta, në Shkup e kam mësuar rëndësinë e vendlindjes. Vendlindje nuk ishte vendi ku ke lindur por vendi ku njerëzit të respektojnë dhe të dhurojnë dashuri. Dashuria e shkupjanëve ndaj meje më ka bërë që unë ta ndjejë vetën organikisht dhe metafizikisht i lidhur për qytetin dhe njerëzit. Njerëzit këtu, e duan, e dashurojnë dhe e çmojnë skajshmërisht mysafirin. Por edhe zemra ime ka qenë e mbushur dhe përplot dashuri ndaj tyre. Kemi pasur lidhje familjare me Shkupin por jo sikur lidhjet dinamike që i kemi me Prishtinën. Si shqiptar që vij nga një rajon i cili shtrihet në Serbi, student Prishtine dhe një copë jete të kaluar në Stamboll, Shkupi për mua ka qenë prehje dhe realizim i plotë i personalitetit tim. Nga përvojat e mia të veçanta që mund të përmend janë bisedat e shumta me një thellësi të çuditshme filozofike të cilat i zhvillojë me esnafin e çarshisë së Shkupit. Çarshi është identiteti i Shkupit, është agora e saj. Aty, përpos tregtisë, njerëzit i dhurojnë ndjenjat njëri tjetrit. Bisedat e mia përditshme nuk ndërlidhen veç me filozofinë e përditshmërisë. Shembull, jam mahnitur kur në çarshi pata dëgjuar një thënie si kjo: “mendimi ka ekzistuar para të menduarit sepse të menduarit mund të vijë në ekzistencë veç në saje të një refleksioni mendimi”, dhe këtë ma ka thënë një skalitës të cilin e quajnë Omer. Normalisht, bisedat për historinë, politikën dhe religjionin janë më aktuale por meqë teatri i fëmijëve ndodhet në çarshi kam mundësi që të takohem edhe me artistë e regjisorë. Takohem me kolegë gazetarë dhe profesor universitar të cilët krejt pranë këtu e kanë kampusin e UEJL-it, siç janë takimet e mia të shpeshta me semiologun Bujar Hoxha, profesor në UEJL. Nuk i harroj as takimet dhe kafet e mëngjesit me ish diplomatin dhe historianin e artit z. Arsim Zekollin, me të cilin zakonisht bëjmë shëtitje dhe ekskursione diskurseve dhe narrative rreth artit, historisë dhe diplomacisë. Në Çarshi kam organizuar dy shkolla verore nën titullin “Intepretimet alternative të modernitetit në Ballkan” dhe dy shkolla të tjera, njëra rreth “Dekolonizimit të ardhmërisë së Ballkanit” dhe tjetra, “Vetja dhe Tjetri në Ballkan. Çarshia dhe Shkupi në përgjithësi më krijojnë nostalgji për intelektin, zemrën dhe intelektin e zemrës. Si një kryeqendër perandorake më bën ta shijoj thellësinë e historisë dhe të prek lartësitë e ardhmërisë.

KultPlus: Nga ajo që dini ju, nga kontaktet e shumta që keni me qytetar dhe njerëz të jetës publike atje, si shikohet Kosova dhe si Shqipëria nga perspektiva e qytetarëve, çfarë mendojnë ata për shqiptarët në kufijtë e tyre?

L:Mustafa: Siç mund ta dini një pjesë e mirë e Shkupjanëve kanë prejardhje nga Kosova dhe parapëlqejnë të identifikohen si Kosovarë. Në dukje të parë ata janë më sekular dhe fenë e konceptojmë nga një prizëm kulturor, janë të lidhur më tepër për traditën e odës dhe fisit si dhe elementi etnik është më i sforcuar në kuptimin identitar. Duke qenë se Shkupi dikur ishte qendër e Vilajetit të Kosovës, ku edhe sot e kësaj dite ekzistojnë objektet e verdha karshi kalasë si telegrafhaneja dhe objekti administrativ – konaku i vilajetit, i jep njëfarë fryme më Kosovare Shkupit. Qytetarët e Shkupit dhe Tetovës janë më të lidhur me Shkupin shkaku i të kaluarës dhe historisë. Pa mos harruar se Prishtina ishte kryeqendër intelektuale e shqiptarëve të Jugosllavisë dhe identietet e politikanëve të më të vonshëm të Maqedonisë u realizuan pikërisht në Prishtinë, gjatë periudhës së Jugosllavisë. Këto rrethana e kanë bërë shqiptarin në Maqedoni të ndjehet më afër Prishtinës. Kurse shqiptarët e Dibrës, Strugës dhe deri diku edhe Kërçovës, duke qenë në vijën kufitare me Shqipërinë kanë qenë më të lidhur me Shqipërinë qoftë në aspekt të studimeve, lëvizjeve dhe bizneseve. Shqipëria dhe Kosova bashkohen në zemrën e shqiptarit të Maqedonisë.

KultPlus: Çfarë mendoni ju rreth perspektives së shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri që kanë për shqiptarët në Maqedoninë Veriore?

L. Mustafa: Tek kombet e Ballkanit përfshi edhe shqiptarët ekziston një tendencë e krijimit të vetes përmes vetarratisjes dhe krijimit të tjetrit brenda vetes. Kështu që, në Jugosllavi për sllovenin tjetri ishte korati, e për kroatin tjetri ishte serbi, e për serbin tjetri ishte, boshnjaku, shqiptari, jugori. Në rastin tonë ka një tendencë të rrezikshme kulturore nën premisën e një superioriteti të shpifur kulturor përpiqen që brenda kombit shqiptar ta krijojnë orientalin, tjetrin, ekzotikun apo fetarin brenda shqiptarit të Maqedonisë. Ka një tendencë, sikur më duket mua, ashtu siç e shpreha në fillim, që shqiptari i Maqedonisë të jetë ai, që ka probleme identitare e kulturore dhe që paraqet tjetrin, të prapambeturin brenda albanosferës. Në anën tjetër, kur i referohemi Maqedonisë, po flasim për një vend prej të cilit ka dalë, një grup muzikor si Elita 5, Telexi, shtëpia botuese Logos-a, personalitete si Ferid Murati e Nëna Terezë – Gonxhe Bojaxhiu apo edhe një personalitet letrar si Luan Starova i cili është në nivel të reputacionit ndërkombëtar siç është Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja. Unë e kuptoj “shtytjen” moderne për ta krijuar një orient brenda vetes me qëllim të arratisjes dhe bashkërenditjes me popujt e përparuar perëndimor. Por nëse mund të konstatojmë se shqiptari i Maqedonisë, si mendësi dhe projeksion është mbetje e shtypjes dhe represionit të një mendësie kolonialiste e cila daton që nga viti 1912 kur mbretëria Jugosllave përmes ekspeditave në drejtim të Jugut kolonizon Kosovën dhe trojet shqiptare në Maqedoni atëherë fakti i shtrirjes së një “mainstrimi” të tillë kulturor është po aq i dhembshëm sa vetë kolonizimi i dikurshëm. Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë më prezent në Maqedoninë e Veriut për t’i shtrirë dorën shqiptarëve që në mënyrë institucionale të bëjnë binjakëzimin e komunave shqiptare, të krijojnë dhe realizojnë projekte me ministritë e kulturës dhe arsimit duke i bashkërenduar kështu aktivitetet dhe vjelë sukseset në nivel ndërkombëtar.

KultPlus: A mund të flitet për aktivitetet kulturore shqiptare në Maqedoninë Veriore, flasim për artin, teatrin, muzikën, filmin etj?

L.Mustafa: Po si jo. Teatri shqiptar në Maqedoninë e Veriut ofron kualitete të larta të organizimit artistik. Unë personalisht kam shkruar ca kritika të shfaqjeve të cilat janë realizuar në mënyrë të përkryer. Shumë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut tani më janë avancuar në fushën e filmit shumica e të cilëve janë të rinj dhe me një perspektivë të fuqishme në të ardhmen. Nuk dihet harruar filmin e shumë komentuar dhe përfolur “Pranverë e paharruar në fshatin harruar” të regjisorit kumanovar Kushtrim Bekteshi, i cili përbëhej nga një staf artistësh nga të gjitha trojet shqiptare film i cili flet për tranzicionin shqiptar me zhanër komedie. Grupi muzikor Elita vazhdon të jetë aktiv në skenën muzikore por edhe kompozitor si profesorit universitar Fatos Lumanit nga Struga i cili për herë të parë në historinë e operës shqiptare ka kompozuar operën “Skënderbeu” premiera e së cilës u dha në dhjetor të viti 2019 nën dirigjimin e Olsi Qinamit, me regji të Qëndrim Rijanit dhe libretin e Arian Krasniqit. Uroj që kjo operë të shfaqet në Prishtinë e në Tiranë. Aktivitete të ngjashme dhe me shumë vlera artistike janë organizuar në Shkup nën mbështetjen e ministrisë së Kulturës por gjykoj se këto aktivitete duhet shtuar, avancuar dhe hipertrofizuar në sensin pozitiv të fjalës. Normalisht që nuk mungon as kiçi dhe aktivitete të tjera subkulturore të cilat organizohen herë nga institucionet e herë nga organizatat e ndryshme civile pa harruar edhe sukseset e klubit të futbollit KF Shkëndija e cila ka qenë kampione disa herë në ligën shtetnore dhe fituese e kupës, si dhe pjesëmarrëse në UEFA – Ligën e Kampionëve dhe ligën Europiane. Pra, pa dashur të bëhem monoton me përmendjen e shumë sukseseve ndërkombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, qoftë në mënyrë individuale qoftë në formë grupore por të cilët, përkundër të gjitha pengesave, neglizhencën institucionale dhe sakrificat e bëra ka rritur të shënoj suksese depërtuese.

KultPlus: Një temë shume e nxehtë që debatohet shumë në Kosovë për shqiptarët në Maqedoninë Veriore, në rrafshin kulturor, është ajo e asimilimit apo jo të tyre. A shihni krizë identiteti të shqiptarëve atje?

L.Mustafa: Po, më kujtohen debatet e zhvilluara në Kosovë. Ndjehem krenar me të gjitha ata intelektual dhe akademik të cilët i kanë pas për dert shqiptarët e Maqedonisë. Unë kam pasur rastin të intervistoj me dhjetëra akademik e intelektual nga Kosova të cilët vërtetë përbri shqetësimit ata formulonin edhe mundësi reale teorike për dalje nga situata dhe ishin mjaft të kujdesshëm për të mos rënë preh e stereotipizimit orientalist të shqiptarëve të Maqedonisë Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ashtu siç është po thuaj tek të gjithë shqiptarët, e ndjejnë nostalgjinë e liderit të munguar. Në mangësi të një realiteti të tillë politik, ku shqiptarët të përfaqësohen nga lider të fuqishëm, të drejtë dhe të përgjegjshëm, u vunë në kërkime, krejt të pavullnetshme e të pavetëdijshme, të projeksioneve imagjinare të liderëve të fuqishëm botëror me të cilët kërkonin një minimum sentimenti për të krijuar një lidhje idiopatike. Ngjashëm ishte edhe me liderin e Turqisë, apo presidentin e tanishëm, Rexhep Tajip Erdogan. Në këtë kohë rastisi që një numër i madh i shqiptarëve të Maqedonisë dhe Kosovës të marrin pjesë në luftën e Sirisë përkrah grupeve xhihadiste. Nën thjerrëzën e njëashme dhe monocentrike të medieve kombëtare të cilat vuajnë nga trauma e vetëarratisjes dhe stereotipizimit për të krijuar një orient brenda kombit tonë, ngrenë alarmin e rremë rreth projekteve të quajtura si “islamiste” apo “neotomaniste”. Me një fjalë, preferencat e një numri të margjinalizuar të shoqërisë shqiptare në Maqedoni, përpiqeshin që të shpërfaqeshin në epiqendër. Dhe deri diku ia kanë arritur. Ndikimi i shtetit të Turqisë dhe investimeve turke në rajon është evident dhe i mirë se ardhur.

Por ama, nëse i referohemi hulumtimeve të fundit, sa i përket përcepcionit të qytetarëve Maqedonisë rreth prezencës dhe simpatisë ndaj shteteve të huaja dhe organizmave ndërkombëtar, vendin e parë e nxë Bashkimi Europian, Gjermania, SHBA-të, dhe më pastaj vjen Turqia. Raporti i fundit i publikuar në muajin qershor nga Instituti ndërkombëtar republikan – IRI dëshmon se qytetarët e Maqedonisë së Veriut donatorin më të madh për vendin e tyre e konsiderojnë BE-në me 35%, kurse SHBA-në 23% e qytetarëve dhe Turqia me 12%. Kurse nga partnerët më të rëndësishëm ekonomik 64% respondentëve kanë paraparë të jetë Gjermania, Turqia 57% dhe SHBA-të 47%. Në pyetjen se cilët i shohin si partnerët më të rëndësishëm politik, respondentët janë përgjigjur për Gjermaninë me 58%, SHBA-në 55% dhe Turqinë 46%. Në pyetjen se cilin nga shtetet e shihni kërcënim për vendin tuaj, respondentët janë përgjigjur për Rusinë me 53%. Një tjetër hulumtim i realizuar nga Instituti Nacional Demokratik – NDI, të publikuar në mars të vitit 2020, në pyetjen se cilat nga shtetet ndihmojnë më së shumti interesin tuaj nacional, 26.1% të respondentëve janë në favor të BE-së, 17.3% për SHBA-të dhe Turqinë me 10.9. Kurse sa i përket kursit qytetërimor, 50% janë përgjigjur pro-perëndimore dhe 18% jo perëndimor. Kohëve të fundit, paraqitja e partive të mirëfillta opozitare, dalë ngadalë ka filluar të trokas besa edhe t’i shkundë ndërgjegjet politike të shqiptarëve në Maqedoni duke i thirrur ata të reflektojnë rreth problemeve reale dhe ndërgjegjësimin ndaj fenomeneve historike me përmasa apokaliptike, thënë në sensin simbolik. Zgjedhjet e fundit parlamentare gjë që jemi në vigjilje të tyre dhe paraqitja e koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe AlternAtivA ka kthyer dukshëm vëmendjen ndaj çështjeve kruciale dhe imediate të shoqërisë shqiptare. Ky fenomen ndërgjegjësimi kishte filluar që nga viti 2015 gjë që e ka shpërfaqur më fuqishëm identitetin politik të shqiptarëve në Maqedoni. Një situatë e tillë ka filluar t’i shuaj të gjitha projeksionet dhe imagjinatat shterpe mediatike se shqiptarët e Maqedonisë kanë probleme identitare. Për më tepër se kaq, ata vazhdojnë të vuajnë nga përfaqësimi i keq politik, dhe si të tillë të vuajnë nga një sistem i keq arsimor dhe kulturor. Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë krizë identitare sepse në matricën e tyre qëndron nacionalizmi antikolonialist dhe përpjekja për të mbijetuar si identitet etnik duke e shpallur nacionalizmin shqiptar si parimin më të lartë të mobilitetit social kurse fenë ta kenë hapësirën private në të cilën gjejnë shpagimin për zhgënjimet që i vijnë nga bota mizore.

KultPlus: Çfarë mendoni, cili është problemi më i madh me të cilin përballen shqiptarët në Maqedoninë Veriore, dhe si e shihni zgjidhjen e tij?

L.Mustafa: Problemin më të madh të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë Veriore e shoh në dobësimin, regjjen dhe entropinë totale të establishmentit politik i cili përfaqësohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim – BDI. Kjo parti është në pushte gati 18 vite dhe riciklimi i saj përmes krimit dhe korrupsionit ka bërë që shqiptarët të vuajnë e lëngojnë nga problemet më prioritare siç është siguria, arsimimi dhe kultura. Ndërhyrja në sistemin arsimor, koordinimi i kurrikulave me Kosovën dhe Shqipërinë, harmonizimi i disa projekteve kapitale kombëtare në mes ministrive të kulturave mendoj që do të ishte pikënisja e disa problemeve jetike në lidhje me thyerjen e stereotipeve dhe paragjykimeve ndaj njëri tjetrit, si shqiptarë që kemi.

KulPlus: Në fund, duke iu falënderuar për kohë tuaj, cila është kritika juaj për gjithë shqiptarët gjithandej Ballkanit Perëndimor?

L.Mustafa: Meqë jemi në kohë pandemie, shpërndarja enorme e virusit covid-19, veçimi dhe izolimi do të duhet të ketë ndikuar në reflektimin tonë në lidhje me çështjet publike. Uroj që brenda kësaj periudhe të kemi medituar e reflektuar ndoca. Shqiptarët, fillimisht, duhet ta kenë një përcaktim të ri me shqiptarsinë e tyre, duke e identifikuar dhe definuar atë më tepër si një projekt të parealizuar politik sesa një emërtim linguistik dhe kulturor. Shqiptarët, përfundimisht, duhet të shpëtojnë nga sindromi i privatizimit të publikes dhe trauma e publikëzimit të privates. Mund të duket lojë fjalësh, por megjithatë, në nivel kombëtar na duhet një ndërgjegjësim shoqëror për publiken siç është shëndeti dhe liria. Ne periudhë pandemie e pamë që ne jemi në gjendje të heqim dorë liria individuale për t’i siguruar tjetrit shëndetin kolektiv. Njashtu edhe shqiptarët, duhet të jenë të vetëdijshëm për publiken jetën, lirinë, shëndetin dhe drejtësinë. Janë parime të cilat nuk kanë rëndësi se si radhiten, të gjitha janë të rëndësishme. Shqiptarëve i duhet një revolucion i vërtetë politik, jo në kuptimin e çoroditur të një lufte civile e as të krijimit të totalitarizmave në emër të shpëtimit, por ndërtimit të një shoqërie në formë të përshkallëzuar pa e dëmtuar ekuilibrin në mes vlerave tradicionale dhe moderne, duke qenë një harmoni metafizike dhe organike me natyrën dhe duke e çmuar thellësisht jetën e njeriut. Në kontekstin gjeopolitik dhe qytetërimor, shqiptarët përfundimisht duhet të shpëtojnë nga krenaria meskine skllavit në raport me Europën dhe mendësia slloganeske. Çirremi me slogane absurde se për shqiptarët “dielli lind në Perëndim”, e në anën tjetër dridhemi nga dosjet nëpër gjykata; E duam Europën, ndërsa votojmë politikanë të korruptuar që në parim janë kundër Europës, llogaridhënies dhe parimeve universale njerëzore. Punojmë në Europë, e hamë bukën e saj, po nuk ndalemi me sharje e fyerje ndaj moralit të saj. Ia duam paratë, por jo çehren. Dhe, kur na refuzojnë, u themi “Uh! Evropë, ti kurva e motit!” duke iu referuar Gjergj Fishtës. Pyetja apo hamendësimi që kërkon përgjigje është ky që pas gjithë këtij oportunizmi të shtirur dhe të mekur, krejt thellë në zemër tonë kolektive, nëse kemi një të tillë, a mos NE jemi gjë eurofobë? Jo, nuk ka mundësi të jemi! Përfundimisht, duhet të këndellemi, kthjellemi dhe me mund e përkushtim të punojmë drejt ambicieve më të larta njerëzore, qoftë individuale qoftë kolektive. / KultPlus.com

Të ngjajshme