Laure Cambau në QKLL, poetja franceze në një aktivitet mbi kulturën, misticizmin dhe religjionin

21 Mars, 2025 - 1:54 pm

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi aktivitetin me temë: “Kultura, misticizmi, religjioni”, ku e pranishme ishte poetja franceze, Laure Cambau.

Në mjediset e QKLL, Cambau bashkëbisedoi mbi temën me poeten Mimoza Ahmeti, në këtë aktivitet i cili përkoi me Ditën Ndërkombëtare të Poezisë. Poeteshat lexuan pjesë nga vëllimi poetik “E bardha pa të bardhë” i Laure Cambau, libër i cili është përkthyer në shqip dhe i pajisur me shënime nga Luan Rama. Ky vëllim poetik i kushtohet piktorit shqiptaro-francez Omer Kaleshi.

Poetja e ftuar nga QKLL, Laure Cambau, jeton në Paris. Poete dhe pianiste, ajo është gjithashtu autore e tregimeve për fëmijë dhe teksteve të këngëve.

Cambau ka botuar dhjetë përmbledhje me poezi dhe ka marrë çmimin Poncetton të SGDL për Lettres au voyou céleste (Amandier, 2010). Veprat e saj të fundit përfshijnë La fille peinte en bleu (Caractères/Ecrits des Forges, Quebec) dhe Ma peau ne protège que vous (Le Castor Astral). Në vitin 2017 u botua Le Manteau rapiécé, un voyage au fil du souffle (Unicité), një libër i frymëzuar nga takimi i saj – shpirtëror dhe i përkohshëm – me bektashinjtë (“kushërinjtë” e sufinjve); ky libër mori çmimin Vénus Khoury-Ghata 2018. Koleksioni i saj, Grand Motel du Biotope u botua nga APIC (Algiers) në 2021 dhe ishte finaliste për çmimet Apollinaire dhe Mallarmé dhe mori çmimin “Léon Paul Fargue” në 2022 në Paris. Në vitin 2023 ajo botoi Les Yeux de la Mouche (Le Castor Astral) dhe ishte gjithashtu finaliste për disa çmime. Ajo është anëtare e Compagnia delle Poete (Mia Lecomte) dhe është një bashkëpunëtore në revistën Apulée.

Ajo performon rregullisht muzikë dhome, me artistë lirikë dhe shkrimtarë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme