Laureatët e Çmimit Nobel nderohen në mungesë

10 Dhjetor, 2020 - 12:15 pm

Laureatët e Çmimit Nobel për vitin 2020 do të nderohen në mungesë më 10 dhjetor, përmes disa ceremonive që këtë vit organizohen ndryshe për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Përhapja e këtij virusi ka shtyrë zyrtarët e Nobelit që të anulojnë festat vjetore në Oslo, ku prezantohet Çmimi vjetor i Nobelit dhe në Stokholm ku ndahen çmimet për mjekësi, fizikë, kimi, letërsi dhe ekonomi.

Organizata Botërore për Ushqim pritet të pranojë Çmimin Nobel për Paqe në një ceremoni në Romë.

Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara është shpërblyer nga Komiteti Norvegjez i Nobelit për “përpjekjet për të parandaluar shfrytëzimin e urisë si armë për luftë dhe konflikt”.

Në Oslo, kryeqytetin e Norvegjisë, udhëheqësja e Komitetit Norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen, do të mbajë një fjalim online nga Instituti i Nobelit.

Më vonë gjatë ditës, në kryeqytetin suedez, do të transmetohet një ceremoni përmes televizionit, në të cilën do të publikohen disa klipe që shfaqin laureatët duke pranuar çmimet nëpër vendlindjet e tyre.

Kjo është hera e parë nga Lufta e Dytë Botërore që anulohen festimet në Stokholm.

Përndryshe, fituesit e çmimeve Nobel janë bërë publikë në muajin tetor.

Çmimet tradicionalisht prezantohen më 10 dhjetor, përvjetorin e vdekjes së themeluesit të këtij çmimi, Alfred Nobel.

Nobel, shkencëtar suedez dhe filantrop ka vdekur më 1896./REL / KultPlus.com

Të ngjajshme